Ndërsa vijon përgatitjet për protestën e nesërme, Muli sot përcolli herët, qysh në orën 5 të mëngjesit, Doktorin për në Bruksel. I dha me vete vetëm një asistente, që i mban ilaçet.
Nisja drejt Brukselit u bë në një ditë kur gjithë Brukseli ka ardhur në Tiranë.
– Po çfarë do bëjë ky në Bruksel? – i tha Lelo, – se gjithë këta kryeministrat janë këtu.
– Kjo ka shumë rëndësi, – tha Muli. – Se po të ishin atje, mund të lëshonin deklarata pro Ramës në Bruksel. Sot është një ditë e shkëlqyer, pasi Edi Ramën nuk ka kush e mbron në Bruksel. Sot Doktori e ka fushën e hapur dhe mund të takojë kë të dojë dhe të thotë çfarë të dojë. Nesër ai do të na surprizojë në miting duke deklaruar se dje më thirrën me urgjencë në Bruksel dhe unë u shpjegova atyre se vota e lirë nuk ekziston më – atë e vrau Edvin Rama, narkoshteti dhe Sorosi.
Do tregojë që ka takuar ish-eurodeputetë dhe ish-zyrtarë të lartë të Evropës që kanë dënuar zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë premtuar se do ta përmbysin Edi Ramën.
– Po mirë, – tha Lelo, – e paskemi një surprizë. Por atë punën e 2001-shit pse e përmendi Doktori? Nuk e kuptoj.
– Po më 2001 ne arritëm t’i diskreditojmë zgjedhjet në OSBE në Vjenë, – tha Muli.
– Po ç’rëndësi ka ajo, – tha Lelo. – OSBE-ja këtu në Tiranë e kemi të gjithë me Foltoren dhe s’na bëjnë punë. Ai nuk i rrëzoi socialistët më 2001 pas zgjedhjeve. E vetmja gjë që bëri është që u bë mik me Fatos Nanon. Mos është ky një mesazh që do të bëhet mik me Edi Ramën?
– Në asnjë mënyrë, – i tha Muli. – Duhet ta rrëzojmë Edi Ramën dhe të bëhemi mik me atë socialistin tjetër që do marrë qeverinë.