Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka vijuar inspektimin e masave për ngritjen e pikave të kontrollit në zonat e gjelbra, konkretisht aty ku ndahet Tepelena me Mallakastrën dhe Vlora me Sarandën.
Në zbatim të vendimit të komisionit ndërministror, gjatë inspektimit, Ardi Veliu ishte i shoqëruar nga drejtori vendor i Policisë Gjirokastër, Perlat Vatoci, dhe shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Syrja Bello.
Nga Saranda, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Veliu, ka theksuar se është e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë qytetarët se zbatimi me përpikëri i masave kufizuese, por dhe i masave lehtësuese, është vendimtar për të minimizuar përhapjen e COVID-19, duke bërë të mundur shtimin sa më shumë të zonave të gjelbra. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e ka bërë të qartë se plazhi është rreptësisht i ndaluar, deri në një urdhër të dytë që do të shpjegojë sjelljen e qytetarëve aty.
“Për Sarandën dhe për zonën e Himarës dhe për gjithë zonën e bregdetit, duke qenë se janë zona të cilat lagen nga deti dhe do të jenë një mundësi për t’u shfrytëzuar nga pushuesit për të hyrë në det, bëj me dije se këto veprime janë veprime totalisht të ndaluara dhe nuk do të tolerohen në asnjë moment nga Policia e Shtetit. Prandaj gjej një mundësi t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve të mos kenë absolutisht asnjë tendencë që të frekuentojnë plazhet derisa të dalë një urdhër i dytë, që të normojë mënyrën sesi do të trajtohet, mënyrën sesi do të veprohet me plazhet”, u shpreh dje Veliu.
Mbas inspektimit të pikave të kontrollit që do të vendosen midis qyteteve të Tepelenës dhe Mallakastrës dhe në Llogara, dje Ardi Veliu ishte edhe në qytetin e Sarandës për të inspektuar punën që po bëhet në terren në zonën e gjelbër, tashmë të bërë publike. “Për të gjithë qytetarët e kësaj zone, kjo mundësi për të lëvizur lirshëm midis fashave për moshën e tretë nga ora 06:00 deri në orën 08:30 dhe nga ora 09:30 deri në orën 17:30 për pjesën tjetër të popullsisë, është një mundësi që nuk duhet keqpërdorur, por duhet shfrytëzuar duke respektuar të gjitha normat e sjelljes dhe detyrimet, të cilat janë përcaktuar tashmë për sa i përket distancimit social, por edhe për sa i përket pjesës tjetër të mënyrës së lëvizjes, të cilët nuk duhet të jenë jo më shumë se dy persona apo mosfrekuentimit të parqeve, lokaleve e vendeve publike”, tha Veliu.
Sipas tij, kjo mundësi e dhënë, përveç ndërgjegjësimit të qytetarëve, do të pasohet me kontrolle dhe monitorime, të cilat do t’i bëjë Policia e Shtetit dhe do të pasohen në rast se do të konstatohen, me masa administrative gjobë, njëkohësisht duke u implementuar edhe ndryshimet e fundit të Kodit Penal, pas hyrjes në fuqi.
“Prandaj, duke përfituar nga mundësia do t’u bëja thirrje gjithë qytetarëve të zonave të gjelbra që të jenë të kujdesshëm, të jenë të ndërgjegjshëm dhe të respektojnë në maksimum të gjitha këto detyrime, me qëllim që kjo situatë stabël tashmë në këto zona të jetë edhe në vazhdimësi, duke u dhënë mundësi edhe zonave të tjera pastaj që të implementojnë si në këtë fushë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Sipas Ardi Veliut, për të parandaluar mundësinë që qytetarët të lëvizin drejt bregdetit për plazh, midis Sarandës dhe Gjirokastrës do të jetë përsëri një pikë kontrolli, e cila do të bëjë të mundur që asnjë nga qytetarët e Gjirokastrës apo të zonës së gjelbër në Qarkun e Gjirokastrës, të mos shkojnë në Sarandë për të frekuentuar qoftë këtë zonë, por edhe për ta parë si mundësi për të hyrë në det.