Ndërkombëtarët kanë fundosur presidentin Ilir Meta. Mazhoranca kaloi ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke eliminuar koalicionet, por ai që nuk e pranon këtë draft është presidenti, i cili nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat. Kalimi i kodit do të sjellë rrudhje të LSI në zgjedhje, por duket se kjo është vulosur dhe nga ndërkombëtarët.
Pas ambasadës amerikane edhe Komisioni Europian i ka vënë kapak çështjes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ambasada e SHBA u shpreh se pakti i 5 qershorit nuk është prekur, ndërsa duket se në të njëjta ujëra është dhe Komisioni Europian.
Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi ka zhvilluar dje takime me kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës Lulzim Basha dhe presidentin Ilir Meta për të folur mbi reformën zgjedhore. Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Edi Rama, Varhelyi legjitimoi Kodin e ri Zgjedhor, pasi sipas tij për sa kohë që nuk ndalohen koalicionet pas zgjedhore çdo gjë është në rregull.
Për Komisionerin, marrëveshja e 5 qershorit ishte shumë e rëndësishme për vendin, duke kërkuar nga partitë politike që të mos bojkotojnë procesin zgjedhor të 25 prillit. “Sa i përket reformës zgjedhore ne po analizojmë votën e Kuvendit. Duket që ka të bëjë me një çështje në thelb.
Për aq kohë sa koalicionet pas zgjedhore nuk ndalohen dhe nuk bëhen më të vështira me anë të këtyre reformave atëherë ne mund ta shohim atë projektligj me një mendje të hapur. Por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicionet para dhe pas zgjedhjeve.
Reformat e 5 qershorit ishin tejet të rëndësishme. Shpresoj që në bazë të asaj marrëveshjeje partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Po e konfirmoj, më pas do kem takim me kreun e opozitës jashtëparlamentare”, deklaroi Varhelyi. Ajo që i vë kapak është se komisioneri takoi dhe presidentin, por në një reagim në Twitter nuk e përmendi fare reformën zgjedhore.
Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se testi i vërtetë për Shqipërinë janë zgjedhjet. Varheleyi deklaroi se duhet një reformë zgjedhore e besueshme, kurse shtoi se edhe Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e besueshme. Sipas tij, ka ende sfida që duhet të realizohen siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Klima e biznesit duhet të jetë e mirë, gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Duhet investuar në kapitalin njerëzor. Arsimimi është kyç. Duhet të bëjmë gjithçka që brezin e ri ta mbajmë këtu. Të rinjtë urojmë të kthehen në rajon. Ne përgëzuam kryeministrin për arritjet.
Ka ende sfida, si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të jetë funksionale Gjykata Kushtetuese. Vetingu është i rëndësishëm. Na duhet reformë e besueshme zgjedhore. Zgjedhjet do jenë testi”, tha Varhelyi.
Zgjerimi i BE
Ndërkohë që sa i takon zgjerimit të Bashkimit Europian, Varhelyi deklaroi se kjo është një temë serioze për integrimin e Shqipërisë. Varhelyi tha se kishte sjellë lajme të mira për shqiptarët, ndërsa theksoi se tashme do kalohet tek segmenti i tretë, që ka të bëjë me planin ekonomik të investimeve.
“Ne kemi ardhur ose po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika e zgjedhimit. Kur nisëm punë si komision, ne e bëmë të qartë që ditën e parë të detyrës. E kemi me të vërtetë dhe do të vazhdojmë punën me Ballkanin Perëndimor. Do e bëjmë këtë dhe me politikën e zgjerimit. E kemi seriozisht.
Ne kemi mundur që të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tani kalojmë tek segmenti i tretë i kësaj pune të madhe dhe kjo ka të bëjë me planin ekonomik të investimeve. Plani duhet të përshpejtojë punën që duhet të bëjë rajoni për të kapur ritmin e BE. Patëm krizën e COVID dhe kjo ishte sfidë e madhe”, tha Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.