Disa ditë më parë, vetë kryeministri pranoi se kriza e energjisë që ka mbërthyer gjithë Evropën, është e pashmangshme të mos ndikojë dhe në vendin tonë.
Sot kryeministri Edi Rama, përmes një videoje në “Facebook” zgjodhi t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve për krizën energjetike.
Pyetjes së një ndjekëseve se përse nuk e vendosim vetë çmimin e energjisë, meqë e prodhojmë vetë atë, Rama i përgjigjet se vendi ynë nuk mund t’ia dalë pa importet.
“Ne prodhojmë kur kemi reshje të mjaftueshme për mbushjen e hidrocentraleve dhe blejmë energji kur ka thatësirë, aq më tepër kur periudhat e thatësirës janë bërë më të gjta kohët e fundit si pasojë e ndryshimeve klimaterike. Prandaj, Shqipëria është e varur njësoj si vendet e tjera nga çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar”, tha ai.
Të njëjtën përgjigje, Rama dha dhe për çmimin e naftës:
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që konsumohet në vendin tonë. Nafta që nxirret këtu është naftë e rëndë dhe shkon kryesisht jashtë për nënprodukte të saj, si bitumi për shembull. Ndërkohë, rreth 600 mijë ton, që konsumohen në formën e gazoileve dhe benzinës, janë nënprodukte që vijnë nga jashtë”.
Ndërkohë, shton se nafta në vendin tonë tregtohet nga subjekte private që e blejnë produktin sipas bursës në tregjet ndërkombëtare.
Shqetësimit të një qytetari që shkruan në faqen e “Facebook-ut” të kryeministri, ashtu siç shumë qytetarë të tjerë pyesin se si ka mundësi të kemi çmime kaq të larta me rrogat e pensionet ton, Rama i përgjigjet se “në shoqërinë kapitaliste, çmimin në treg e përcakton raporti kërkesë-ofertë, jo shteti, dhe për sa kohë blejmë në tregun ndërkombëtar, do të blejmë njësoj si Spanja, Gjermania e shtetet e tjera”.