Nëse do të mbahej një referendum mbi anëtarësimin në BE, Italia, Greqia, Republika Çeke, por edhe sërish Britania e Madhe mund edhe të largohen nga unioni.
Të dhënat e fundit të publikuara nga “Barometri Europian” tregojnë se në një pjesë të mirë të vendeve të BE-së nuk janë të lumtura me politikat e unionit, madje nëse do të mbahen referendume, do të ishte e pamundur të arrihej shumica për qendrimin në union.
Sipas sondazhit të publikuar më 25 prill, vetëm 45% e britanikëve, 47% e çekëve dhe italianëve do të mbështesin anëtarësimin në BE. Ndërkohë, votat për t’u larguar do të arrijnë përkatësisht 37% në Britani dhe 24% në Itali.
Grekët (57%) janë gjithashtu pjesë e grupit që është më pak entuziast për familjen europiane.
Por numri më i madh i qytetarëve të pavendosur ishte në Itali, 29% dhe në Republikën Çeke 18%. Kjo mund të sjellë tërmet në rast të një referendumi në këto dy vende.
Megjithatë, një mesatare prej 68% e të anketuarve në BE tha se anëtarësimi ka qenë i dobishëm për vendin e tyre, niveli më i lartë që nga viti 1983.
Sondazhi u publikua më pak se një muaj përpara se europianët të fillojnë votimin më 23 maj për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për Parlamentin Europian.
Në rastin e Italisë, autorët vunë në dukje se rezultatet ishin disi inkurajuese sepse vota për të qendruar u rrit me pesë pikë përqindje gjatë gjashtë muajve të fundit, që pas ardhjes në pushtet të koalicionit populist.
“Krahasuar me të gjitha vendet e tjera të BE-së, italianët janë më të pasigurtët duke thënë se nuk do të dinë se çfarë të bëjnë në rast të një referendumi “, shkruajnë autorët.
Sondazhi ka përfshirë 27,973 qytetarë europianë dhe vuri në dukje një rritje të pasigurisë të votuesve në 13 vende, përfshirë Britaninë e Madhe.
Ndërsa një gjysmë viti më parë, vetëm 12% e britanikëve ishin të pasigurtë për votën e tyre, ky numër u rrit në mars në 18%.
“Kjo rritje reflekton pasigurinë publike përballë trazirave politike në Britaninë e Madhe”, thonë autorët.
Britania, Republika Çeke dhe Italia janë mes vendeve ku përfitimet e anëtarësimit në BE-së janë më pak të perceptuara. Gjithsej 58% e cekë, 54% e britanikëve dhe 41% e italianëve besojnë se përfitojnë nga të qenit pjesë e unionit.
Edhe pse qëndrimit i përgjithshëm ndaj projektit europian është pozitiv, shumë të anketuar janë të pakënaqur me situatën aktuale.
Gjysma e europianëve besojnë se gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar veçanërisht për votuesit grekë dhe francezë (66%), italianët (58%) dhe çekët (56%).
Për më tepër, vetëm 51% e tyre, mendojnë se zëri i qytetarëve është i rëndësishëm për Brukselin.
Po ashtu shumë evropianë në 19 shtete anëtare janë të pasigurt dhe e shohin anëtarësimin në BE “si një gjë as të mire dhe as të keqe”.