Sistemi i drejtësisë nga dje ka hyrë në një epokë të re. Pas një lufte të gjatë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka marrë jetë dhe pritet që të ketë një ndryshim 180 gradë të hetimeve në radhët e pushtetarëve. Deri më sot të korruptuarit e kanë bërë gjumin qetë, por nuk do të jetë më kështu.
8 anëtarët e Prokurorisë së Posaçme u paraqitën dje në mëngjes në Presidencë, ku gjatë një ceremonie të posaçme janë betuar para presidentit Ilir Meta. Pas këtij akti, ata kanë marrë zyrtarisht detyrën dhe nga dje Shqipëria është me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”. Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njoftoi Presidenca. Pas betimit prokurorët janë paraqitur te ish-godina e Krimeve të Rënda, ku do të kenë zyrat përkatëse. Në ditë në vijim ata do të marrin në dorë dosjet që janë kompetencë e SPAK dhe të rrezikuar janë bosë krimi e pushtetarë të lartë. Në ditë në vijim në Tiranë do të vijë dhe një grup ekspertësh nga SHBA, të cilët do të asistojnë me pajisje dhe në hartimin e rregulloreve dhe akteve të tjera ligjore në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë në luftën ndaj të korruptuarve.
Të rrezikuarit
SPAK do të sjellë një epokë të re në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. 8 anëtarët e SPAK në intervistat e tyre para KLP premtuan se nuk do të tolerojnë askënd. Ata tashmë do të ruhen nga Garda, si dhe do u mbikëqyren llogaritë bankare dhe telefonata, për të parandaluar çfarëdolloj kërcënimi. Por nga ngritja e SPAK janë të rrezikuar disa kategori zyrtarësh. Në Kodin e procedurës Penale janë përcaktuar veprat penale që do të jenë subjekt të SPAK. Në total janë 27 vepra, nga të cilat 17 janë për korrupsion. Ndër këto mund të përmenden: Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ky është dhe neni kryesor, përmes të cilit pritet që të dërgohen pas hekurave gjyqtarë, prokurorë, politikanë apo funksionarë të tjerë. Por interesant është fakti se në hetim mund të merren dhe punonjës të huaj.
Ndërkohë pjesë e SPAK do jetë dhe neni 245 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë. Një tjetër nen që do të prekë një pjesë të madhe të pushtetarëve dhe zyrtarëve shqiptarë, pasi vetëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kallëzuar gjatë 3 viteve të fundit rreth 500 zyrtarë, është neni 258 që ka të bëjë me abuzimet me tenderët. Në Kodin e Procedurës Penale është hequr dhe një tjetër kompetencë, ajo e korrupsionit të dëshmitarit. Ndërkohë në listë është dhe korrupsioni aktiv apo pasiv i gjyqtarit dhe prokurorit. Përveç tyre SPAK do të hetojë çdo lloj akuze ndaj presidentit, kryeministrit, deputetit, ministrit, etj. Përveç 17 veprave të mësipërme, janë dhe 13 kategori zyrtarësh të lartë të përfshirë, duke e çuar në 30 sa i takon korrupsionit. /Kliti Topalli