Prej disa ditësh në media qarkullon një lajm “tragjik” për divorcin me Tv e Fanes të dy “kollosëve mediatikë” të kazanit Ad Krastës dhe Ylli Rakipit.
Zërat opozitarë mezi kanë pritur rastin që faturën e largimit të tyre t’ja faturojnë dora vetë KM sonë të dashuruar me mediat, zotit Edi Rama.
Që marrëdhënia midis një drejtuesi emisioni dhe vetë bosit mediatik është tërësisht marrëdhënie interesash, kjo nuk ka dyshim. Gjithashtu, është në të drejtën e bosit të tv-së që të mbajë hapur emisionet sipas marzhit të audiencës edhe ky element është një raport mëse normal.
Nëse një kontratë përfundon dhe për bosin e tv-së (Fania) nuk rezulton produktiv, kemi të bëjmë me një normalitet të raportit humbje-fitim midis kompanisë dhe programit që skarcohet (nga Fania në rastin konkret). Por kur çohet një opozitë e tërë dhe akuzon KM Edi Rama si aktori kryesor që po çensuron programet, kemi të bëjmë me një skandal të vërtetë.
Të gjithë e dinë më së miri se kush fshihet pas bosit në fjalë dhe realisht i akuzuari kryesor duhet të jetë ai për largimin e Krastës dhe Rakipit dhe jo KM-ja ynë i nderuar. Në rastin konkret i prish kontratat Fania dhe i ngarkohet krimi Edi Ramës, fakt i shëmtuar ky që nuk tregon objektivitet as nga Ylli i LSI dhe as nga Boçi i PD.
Asnjë nga këta nuk guxon të akuzojë atë që ka prishur kontratën por akuzon KM për largimin e dy personazheve mediatike nga TV i Fanes. Lind pyetja, a kemi ndonjë akuzë nga Fania në drejtim të KM për presionet e këtij të fundit në drejtim të tij? A ka ndonjë veprim juridik të qeverisë mbi Fanen apo bizneset e Fanes, veprim që ka goditur bosin e tv në fjalë direkt apo indirekt që i ka sjellë dëm këtij të fundit?
Deri tani asnjë nga këto nuk rezulton dhe është fatkeqësi që një jurist i talentuar ish ministër drejtësie të bëjë gafa të tilla juridike dhe akuza pa bazë ndaj KM tonë Edi Rama. Për më shumë që ky ish ministër e njeh mirë raportin Like-Fane dhe nuk mund të bëjë të paditurin për forcën reale presidenciale në këtë subjekt mediatik.
Gjykimi iracional në rastin konkret nuk është një argument i shëndoshë për të kërkuar një medie të shëndetshme dhe të pavarur. Nëse kemi të bëjmë me një akt të turpshëm për largimin e dy zërave mediatikë nga tv-ja në fjalë, fajtori i vetëm mbetet bosi mediatik që në rastin konkret është Fania.
Asnjëherë nuk mund të vihet autorësia e largimit të dy kontraktuesve me kontratë të mbaruar në përgjegjësinë e KM Edi Rama. Nuk i hyjmë arsyeve, fijeve politike që lidhin subjektin mediatik me ish drejtoreshën e fabrikës së birrës që është kreu aktual i LSI dhe të themi që e shkarkoi ajo Rakipin apo Adin nga tv-ja, kur fakti është që këtyre nuk ju është rinovar kontrata dhe në këtë rast nuk ka faj as Likja, as Fania dhe as Mona, për më shumë Edi.
Këtu problemi ndahet që KM-ja ynë i nderuar nuk ka faj absolutisht dhe në rastin konkret janë të tjera interesa, kushte kontraktuale apo dhe pazare që nuk mund të fajësojnë vetë Edi Ramën.
Nëse bosi i tv dëshiron ti largojë akuzoni atë dhe jo KM. Në asnjë medie nuk të vjen KM. Ai nuk dërgon tatimorë, policë, doganorë, apo dasmorë siç bënte paraardhësi i tij Sali nga Viçidoli. Nëse kazanët mediatikë vetëofrohen ai është i lumtur që të lajë lëveret e veta pa kosto dhe pa i prekur me dorë.
Ku qëndron problemi në rastin e Yllit dhe Adit?
Pse nuk flasin e t’ja plasin në sy bombën KM?
S’ka shans, se bosi i tyre s’ua rinovoi kontratën dhe as vetë bosi nuk ka faj.
Në fund shkojmë te llafi epik-komik i KM: “Mediat e kazanit”.
Ku qëndron faji i KM në rastin konkret?
Juridikisht mund të flasin juristët, por jo ata që kanë konflikt interesi.