“O zot, çfarë ndodhi”! Këto janë fjalët e fundit të Lady Dianas, pas aksidentit fatal në tunelin “Pont d’Alma”, në Paris, në të cilin ajo humbi jetën më 31 gusht të vitit 1997.
Një zjarrfikës, ka rrëfyer episodin, duke kujtuar skenën pas aksidentit. Xavier Gourmelon, i cili ishte në vendin e aksidentit pas thirrjes për ndihmë, tregon se është tronditur nga skena që ka parë.
Rreshteri Gourmelon raportoi me besnikëri historinë e asaj nate për “Daily Mail”, tabloidin e famshëm britanik.
Duke arritur në vendin e përplasjes, në tunelin “Pont d’Alma” në Paris, zjarrfikësi menjëherë vuri re një mjek pranë një personi tjetër. Ishte Diana, e cila ishte akoma “duke lëvizur dhe duke folur”.
Ndërkohë, ekipi i Gourmelon u përpoq të ringjallë të dashurin e atëhershëm të Dianës, Dodi Al-Fayed, por “sapo dola jashtë, qëndrova me pasagjeren”, zbuloi rreshteri.
“Ajo foli në anglisht dhe tha: ‘O zot, çfarë ndodhi?’ U përpoqa ta qetësoja. Unë e mbaja për dore”. Por në atë moment, zjarrfikësi nuk e kishte idenë se kush ishte ajo grua, e cila u transportua me ambulancë menjëherë pas aksidentit.
Ishte kapiteni i ekipit të shpëtimit që zbuloi identitetin e gruas: viktima ishte Lady Diana, ish-gruaja e princit Charles dhe një nga gratë më me ndikim dhe më të njohura në atë kohë.
Të gjitha përpjekjet për ta ringjallur Dianën ishin të padobishme. Lady D. vdiq dy orë më vonë në spitalin Pitié-Salpêtrière në kryeqytetin francez.