Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela u është drejtuar përmes një mesazhi drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen në procesin zgjedhor të 25 prillit.
Prokurori i Përgjithshëm dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në kuadër të procesit zgjedhor kanë marrë një sërë masash për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
Në mesazhin e dërguar nga prokurori bëhet me dije se nga ana e prokurorëve po ashtu edhe e oficerëve të policisë kërkohet profesionalizëm i lartë gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa kërkohet që të bëhet çdo kallëzim nëse vërehen veprime, të cilat mund të jenë vepra penale dhe që mund të cenojnë procesin e zgjedhjeve. Po ashtu, për të garantuar këto në mesazhin dërguar nga prokurori Çela kërkohet edhe që të bashkëpunohet me agjensitë ligjzbatuese në vend dhe me Prokurorinë e Posaçme.
“Nga ana e drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejtë përgjatë procesit, duhet të tregohet profesionalizëm dhe angazhim maksimal në përmbushjen e detyrave të tyre. Është thelbësore të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin e zgjedhor, përmes hetimeve të shpejta dhe të plota, të bashkëpunohet ngushtësisht me të gjitha agjensitë ligjzbatuese si dhe të koordinohen veprimet hetimore me Prokurorinë e Posaçme kur do të rezultojë e nevojshme për shkak të kompetencës lëndore”, thuhet në mesazh.
Ndër të tjera, në mesazhin e dërguar nga prokurori Çela prokurorëve u kërkohet po ashtu që ndaj çdo personi, i cili do të bëjë veprime të paligjshme duhet të merren masa dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Po ashtu, të dënueshme do të jenë edhe zvarritja e hetimeve për çdo rast. “Nga ana juaj pritet që të vini menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që përmes veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme nga ato që parashikohen nga Kodi Penal do të tentojë apo do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor. Çdo zvarritje apo mungesë veprimi në hetime është e dëmshme dhe nuk do të tolerohet”, bëhet me dije nga Prokurori Çela.