Nga qelia, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar një tjetër deklaratë të ashpër ndaj SPAK-ut, të cilin e cilëson si “organizatë kriminale”, duke e akuzuar për shpërndarje dizinformacioni në media të kontrolluara sipas tij nga paratë e inceneratorëve. Në një tekst të shpërndarë sot, Meta hedh poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në një çështje me një kartë bankare të padeklaruar, duke theksuar se emri i tij nuk është përmendur nga autoritetet amerikane.
Meta nënvizon se qëllimi i këtij “skenari” është diskreditimi i tij politik dhe i opozitës që ai përfaqëson, duke akuzuar SPAK-un se vepron nën urdhrat politikë të Partisë Socialiste. Ai paralajmëron se do të publikojë dokumentacionin e plotë nga autoritetet amerikane për të treguar se ndaj tij nuk ka asnjë referencë komprometuese lidhur me çështjen e përfolur.
Megjithatë, një detaj që Meta e ngre si shembull të “abuzimit të qëllimshëm” të SPAK-ut, është mënyra si ai paraqitet në aktakuzë: ende si i martuar me Monika Kryemadhin. “SPAK është kaq i zbuluar në aktivitetin e tij kriminal… sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën”, shkruan Meta, duke ironizuar organin e akuzës dhe duke e krahasuar me Pilo Peristerin që “përpiqej të mbante çiftet me dhunë”.
Sipas tij, kjo përbën një tjetër provë të qëllimeve politike të Prokurorisë së Posaçme, pasi, siç deklaron, statusi i tij martesor me Kryemadhin është zyrtarisht i mbyllur dhe ky fakt është i njohur për SPAK-un. “Kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë”, thekson Meta.