Qeveria ka nisur një tjetër aksion për të pastruar njëherë e mirë administratën shtetërore nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kur erdhi në pushtet kryeministri Edi Rama u zotua se do të pastronte zyrat e shtetit nga “grabitqarët” mesazh ky që shkonte drejtpërdrejt për ish-aleaten e tij në qeverinë “Rama 1”, LSI-në e drejtuar asokohe nga Ilir Meta dhe tanimë nga Monika Kryemadhi. Por gazeta ka mësuar se ditët e fundit, mazhoranca ka ndërmarr një lëvizje për të çuar për “skrap” pikërisht LSI dhe shkarkuar militantët e kësaj partie nga administrata.
Mësohet se ekzekutivi dhe më konkretisht Ministria e Financave ka nisur një audit për të gjitha ato drejtori të drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim në të gjithë qarqet e vendit. Mësohet se deri më tani nga auditi janë gjetur me shkelje me dhjetra drejtori, ku bien në sy abuzimet që titullarët e LSI kanë bërë me taksat e qytetarëve. Mirëpo, këto pazare që njerëzit e LSI kanë bërë gjatë kohës që ushtronin detyrën nuk janë të panjohura për publikun, pasi ato janë bërë publike edhe nga vetë kryeministrit Edi Rama, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Të ndodhur përpara kësaj situate të djerrë, mazhoranca qeverisëse ka nisur pikërisht këtë aksion për të dërguar pas hekurave të gjithë ata drejtorë të LSI, që kanë abuzuar me detyrën.
Madje, një burim pranë qeverisë i tha gazetës se auditime kanë nisur për gati 30 drejtori që janë drejtuar nga LSI në të 12 qarqet e vendit, ku po verifikohet puna e bërë gjatë viteve të fundit. Përveç auditimit të performancës, mësohet se është duke u angazhuar DAP dhe Komisioneri i Shërbimit Civil. Në të gjithë këto drejtori, të drejtuara nga LSI do të bëhen inspektime për të parë sa i takon emërimeve dhe marrjes së statusit të shërbimit civil. Sipas burimeve, brenda vjeshtës pritet që të ketë një valë të madhe shkarkimesh, largime këto të cilat do të shoqërohen edhe me kallëzime penale për cilindo militant të Lëvizjes Socialiste për Integrim që ka abuzuar me detyrën dhe ka përfituar para në mënyrë të padrejtë nga taksat e qyetarëve.
Panik në partinë e Metës
Auditi i nisur nga qeveria ku në fokus janë pikërisht disa nga drejtoritë kryesore në të 12 qarqet e vendit të drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim duket se ka futur në panik këtë parti. Madje, mund të thuhet se me të drejtë ky audit ka futur në panik partinë e Metës, për vetë faktin se ky kontroll për rrjedhojë do të sjellë edhe një valë shkarkimesh nga administrata të militantëve të LSI. Pra duket se një situatë e tillë ka shqetësuar tej mase LSI, pasi largimi sidomos i drejtorëve të saj, shuan ëndrrat jo vetëm e militantëve për të qëndruar në punë por edhe për ata që aspirojnë të katapultohen në një punë shteti përmes partisë.
Mirëpo, largimi i militantëve të LSI është vetëm njëra “plagë”, pasi shkarkimi i tyre nga puna në një kohë kur jemi para një viti elektoral siç janë zgjedhjet vendore të 2019, duket se e thellon akoma më shumë krizën brenda partisë së Metës, ku rrjedhimisht kjo forcë politike tkurret elektoratikisht. Në kushtet, ku Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që elektoratin e saj e ka thithur apo vijon ta mbajë rreth vetes, pasi iu ofron punësim, me largimin e tyre nga puna është e destinuar të humbasë elektorat, faktor ky që më shumë gjasa do ta çojë LSI-në të gjymtuar në zgjedhjet vendore. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Sot