Situata e tensionuar në KZAZ nr. 40 në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë është zgjidhur pas debateve të forta mes përfaqësuesve të Partisë Mundësia dhe zyrtarëve të komisionit.
Në një nga tavolinat e numërimit, votat e këtij subjekti po shpalleshin të pavlefshme me argumentin se fletët kishin një ngjyrë apo nuancë të ndryshme nga formati standard.
Ka qenë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryetarit të partisë, Agron Shehaj, si dhe debatet e gjata me përfaqësuesit e KZAZ-së dhe numëruesit, që çuan në sqarimin dhe zgjidhjen e situatës.
“Votat që na i shpallën të pavlefshme, tani do të konsiderohen të vlefshme. Që nga fillimi i procesit janë numëruar qindra fletë të ngjashme dhe nuk është ngritur asnjëherë shqetësimi për ngjyrën. Ishte hera e parë që dëgjonim një justifikim të tillë. Pas dy orësh debatesh, ato vota do të llogariten si të rregullta”, – deklaroi Shehaj.