Juristi Plarent Ndreca dhe sekretari ligjor i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata, janë përplasur mbrëmë në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, teksa diskutohej për zgjedhjet e 30 qershorit dhe nëse kryebashkiakët aktualë duhet t’i lënë vendin të zgjedhurve të zgjedhjeve që sapo lamë pas.
Mirëpo, në një moment gjatë debatit, Gjata e ka kaluar në personal debatin, duke akuzuar Ndrecën se ka abuzuar me 812 mijë euro kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm në MAS.
Lidhur me këto akuza, Ndreca mbrëmë paralajmëroi Gjatën se do ta çonte në gjykatë për shpifje, gjë që e ka bërë ditën e sotme duke iu përmbajtur asaj që tha mbrëmë deri në fund.
Siç shihet edhe në dokumentin e mëposhtëm, Ndreca ka paditur për shpifje Gjatën (bazuar në nenin 120 të Kodit Penal), duke kërkuar dënimin e tij për shpifje, shpagimin për cënim nderi e personaliteti me 10 mln lekë të vjetra, përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra dhe pagimin e të gjithave shpenzimeve gjyqësore./Lexo.al