Pas rikthimit të “qetësisë dhe dashurisë”, ditë e fundit janë shtuar “cicmicet” mes palëve. Presidenti Meta ka hequr dorë nga gjuha e butë ndaj mazhorancës qeverisëse, ndërkohë që dje iu rikthye bllokimit të ligjeve.
Kreu i shtetit ka rikthyer në Kuvend ligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa thekson se ky ligj që në thelb ka procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Sipas presidentit, ky ligj shmang procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësinë e biznesit vendas për pjesëmarrje.
“Pavarësisht qëllimit pozitiv të deklaruar të kësaj nisme ligjore, mënyra e formulimit të disa prej dispozitave që lidhen me shtrirjen e zbatueshmërisë së këtij ligji, cenojnë parime të rëndësishme kushtetuese; Mungesa e përcaktimit të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket objektit jo shterues të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas tij, cenon parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, barazisë përpara ligjit, me pasojë diskriminimin e operatorëve të ndryshëm në treg, duke rritur mundësitë për dëm ekonomik ndaj financave të shtetit”, argumentohet në arsyet e kthimit të ligjit. Megjithatë, presidenti Ilir Meta ka dekretuar dje ligjin për faljen e gjobave të vendosura deri në 17 prill në shkelje të aktit normativ të COVID-19.
Që do të thotë të gjitha gjobat e vendosura deri në këtë datë për shkelje të rregullave të vendosura për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19, janë falur dhe ato që kanë shlyer detyrimet do t’u kthehen pas. Ndërkohë, Meta ka dekretuar dhe 3 ligje të tjera, si marrëveshjen e bashkëpunimit financiar ushtarak mes Shqipërisë dhe Turqisë, ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet Shqipërisë, Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të prokuruar kundërmasat mjekësore.
A po i dështojnë planet Metës?
Por ky ndryshim kursi i presidentit Ilir Meta, tregojnë qartë se tentativat e tij për të bërë pazare me mazhorancën qeverisëse po dështojnë. Pas 2 marsit kur dhe zhvilloi një protestë anti-qeveritare, koordinimet mes qeverisë dhe presidentit Meta u shtuan ndjeshëm. Mirëpo, ditët e fundit kreu i shtetit ka rinisur sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë. Pak ditë më parë zoti Meta ka dalë në “mbrojtje” të qytetarëve që thyen karantinën dhe protestuan në sheshin “Skënderbej”, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të garantojnë të drejtën e tubimeve, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Po ashtu, ai ka qenë kritik edhe sa i takon raportit të “Freedom House” apo lirisë së medias, si dhe sa i takon çështjes së teatrit. Pra, kjo lëvizje e Metës, duke ndryshuar strategji nga dita në ditë tregon qartë se po i dështojnë planet për pazare me qeverinë. Madje, ajo që e vulos qartë se presidenti Meta po luante me dy porta, është një deklaratë e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili “sulmoi” kreun e shtetit, sapo ky i fundit doli kundër vendimit të qeverisë për të kaluar truallin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Veliaj këshilloi presidentin të mos fusë hundët në çështje që si takojnë.