Duda Balje e Erxhan Galushi janë dy përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë të cilët kanë fituar një post në Kuvend, pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, që la jashtë Adrijana Hoxhiqin nga lista “Komuniteti i Bashkuar” dhe Hatixhe Gjorgjeviç, nga Iniciativa Rome.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli për Telegrafin tha se sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, e cila sot refuzoi ankesën e Adrijana Hoxhiç, janë dy mandate të cilat do të pësojnë ndryshime.
Sipas Cakollit, edhe një pjesë e votave është dashur të anulohen në Graçanicë, ai gjithashtu numëroi përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe që kanë fituar një post në Kuvendin e Kosovës.
“Tashmë një mandat e ka Romani Iniciativa, një LPRK-ja, një IRDK, dhe një PAI. Tashmë tek boshnjakët e kanë një Koalicioni VAKAT, një Duda Balje dhe tjetrën Emilja Rexhepi, ndërkaq te goranët, Adem Hoxha dhe dy mandate partia turke”, – sqaroi Cakolli.
Kolegjet gjyqësore të Gjykatës Supreme kanë vendosur sot për shtatë ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Katër ankesa janë shqyrtuar në një vendim të vetëm, përkatësisht ankesat e subjekteve politike; Romani Iniciativa (AA.nr29/2021), Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia e Ashkalive për Integrim (AA.nr.35/2021) dhe Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës (AA.nr.36/2021), të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) A.nr.736/2021 të dt.07.03.2021, dhe ankesës së dytë, e pranuar sot, e subjektit politik Romani Iniciativa (AA.nr.39/2021), e paraqitur kundër vendimit plotësues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.736/2021, datës 10.03.2021.