Luli Basha është takuar me operatorët turistikë në Vlorë ku është njohur edhe me problemet që kanë shoqëruar këtë sektor me shpërthimin e pandemisë së COVID-19.
Basha shkruan se në Vlorë pushues nuk ka por, taksa e tatime duhet të paguhen nga bizneset. Se çfarë taksash dhe tatimesh paguajnë operatorët turistik vetëm Luli e di
Mirëpo pavarësisht që nuk e ka ideën se çfarë flet, Luli del në mbrojtje edhe të ndërtimeve pa leje duke zaptuar bregun dhe duke kryer vepra penale, që ligji i dënon rëndë, ka shpalosur edhe një planin që gjoja PD do të hartojë në mbështetje të turizmit. Kulm është kur Luli as që e ka iden se çfarë është taksa e shesht dhe çfarë lidhje ka me qytetarët. Taksa e sheshtë paguhet për paga mbi 30 mijë lekë dhe është progresive: Kush merr pagë më të lartë do paguaj taksë më të lartë. Kurse Luli për të shpëtuar bizneset por… edhe qytetarë, duke i barazuar me pasanikë, do ua bëjë të gjithëve 9%. Kjo është vërtetë një idiotësi, që vetëm goja e të paditurit, që nuk kupton se për çfarë flet, mund ta thotë.
Reagimi i plotë:
Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor
Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje. Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme.
Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu. Maqedonia e Veriut për të mbështetur turizmin vendor u ka akorduar qytetarëve kupona me vlerë 100 euro për t’i shpenzuar në destinacione të ndryshme turistike. Ndërsa RAMAVIRUSI u çon fadromat e gazin lotsjellës për t’iu prishur ndërtimet pa asnjë dokument e për të krijuar hapësira për oligarkët e rradhës.
Sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi.
Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze.
Taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen.
Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin.
Ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar konkurrencën e lirë e të barabartë në Shqipëri, duke i dhënë fund politikave klienteliste dhe korruptive, të cilat kanë përthithur deri më sot qindra milionë euro të parave publike.
Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin.