Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit duket se ka shkaktuar përplasje të forta mes kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit ka kërcënuar me rikthimin në krye të PD, ndërkohë që në prapaskenë i mbështetur edhe nga njerëz pranë tij akuzojnë kryedemokratin Basha se e dinte për vendimin e DASH dhe se ka braktisur Berishën. Për rrjedhojë, mësohet se kjo strategji e ndjekur nga lideri demokrat, nuk është mirëpritur nga zoti Berisha, i cili i ka vënë 3 kushte të forta Lulzim Bashës.
Sipas informacioneve, mësohet se ish-kryeministri ka kërkuara nga Basha që të mosbashkëpunojë me kryeministrin Edi Rama dhe të kontestojë fuqishëm rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke futur në lojë edhe protesta kundër qeverisë socialiste, pasi në të kundërt e pret një “luftë” e fortë me të dhe mbështetësit e tij.
Nisin presionet për protesta dhe tubime në rrugë
Dhe sinjalin e parë e ka dhënë dje ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja. Zoti Sakja përmes një statusi në rrjete sociale ka kërkuar rikthimin e protestave, ndërsa theksoi është mjeti që iu jep mundësinë për të rrëzuar regjimin diktatorial, siç e quan ai qeverinë “Rama 2”.
“Diktaturat rrëzohen në shesh! Do rri dhe unë, në qofshin me mijëra. Dhe me një qind qëndroj, më fort se sa Shila; Në qëndrofshin dhjetë, do jem i dhjeti; Dhe një në qëndroftë, do jem i vetmi”, shkruan Sakja. Pra, Berisha po i dërgon mesazhe për protesta Bashës edhe nëpërmjet mbështetësve të tij.
Nga ana tjetër edhe media pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim thuajse dy tre herë në ditë bëjnë artikuj të ndryshëm, ndërsa kërkojnë nga Basha që të udhëheqë në vjeshtë opozitën drejt protestave anti-qeveritare, si e vetmja rrugë që ka mbetur për të përmbysur kryeministrin Edi Rama.
Basha i vendosur për të ruajtur raportet me SHBA
Por pavarësisht presionit të rritur ndjeshëm që Berisha, njerëz pranë tij dhe LSI po ushtrojnë ndaj tij, kreu i PD, Lulzim Basha duket i vendosur për të ruajtur raportet me SHBA. Më konkretisht, zoti Basha qysh prej 19 majit, kur Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të padëshiruar në Amerikë, nuk ka reaguar për këtë çështje.
Madje, nëse shohim me kujdes gjithë lëvizjen e kryedemokratit Basha, ky i fundit ka shmangur edhe mediat apo daljet nëpër studio televizive, pasi kërkon që çështjen e shpalljes “non grata” të Berishës ta lërë mënjanë, strategji kjo që tregon se ai po distancohet nga ish-lideri demokrat. Kjo do të thotë se Basha është i vendosur për të ruajtur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ai është shumë pak i interesuar për Berishën, duke u distancuar prej tij.
Ndërkohë, zoti Basha ka braktisur Berishën edhe për çështjen e zgjedhjeve, teksa ka paralajmëruar se do të vijojë betejën në rrugë ligjore për zbardhjen e masakrës elektorale të 25 prillit në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Pra, Basha po shfaqet lider modern dhe jo i dhunshëm siç kërkon Berisha.