Qeveria shqiptare miratoi një paketë ndihme financiare për bizneset prodhuese që duhet të ruajnë masat e distancimit fizik të punonjësve duke ofruar deri në 4 mijë lekë për çdo punëtor për një total prej 187 milionë lekësh.
Paratë pritet t’i përfitojnë drejtpërsëdrejti kompanitë ndërsa qeveria ka urdhëruar publikimin e listës së përfituesve të ndihmës në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Qeveria ka dhënë deri tani dy paketa ndihmash gjatë ndalimqarkullimit të parë në pranverë me vlerë të përgjithshme prej 3.5% të PBB-së.
Aktualisht buxheti i shtetit ka pësuar një rënie të të ardhurave me rreth 300 milionë euro në krahasim me vitin e kaluar si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia.
Ndërsa ekonomia u rikthye me shpejtësi në normalitet pas mbylljes së pranverës, rritja e numrit të infektimeve duket se po sjell një krizë të dytë ekonomike.