Kryeministri Edi Rama ka vijuar me kritikat dhe akuzat ndaj opozitës dhe veçanërisht presidentit Ilir Meta. Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës ai iu përgjigj presidentit lidhur me deklaratat e tij për të hyrë në zgjedhje me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Rama u shpreh se çdokush e di që Meta është futur në këto zgjedhje. Ai tha se klithmat e presidentit nga qyteti i Vlorës nuk vlejnë më. Sipas kryeministrit Meta do të dalë nga këto zgjedhje i rruar dhe i qethur nga breshri i votave në zgjedhjet e 25 prillit. “Jam i bindur se me të mbaruar këtu do të vijë një klithmë nga Vlora e do të thotë se po me detyroni të bëj atë që nuk e kam bërë kurrë bashkë me doktorin e madh në fushatë.
Që ti je futur në fushatë këtë e di çdo patronazhist. Por atë që ti nuk e di është se ti do të dalësh nga kjo fushatë i rruar dhe i qethur! Prandaj nuk kuptoni ju dhe ndaj nuk do ta merrni vesh çfarë do jetë gjithë ai breshër votash më 25 prill”, u shpreh kreu i qeverisë. Gjithashtu kryeministri sqaroi edhe çështjen e patronazhistëve, e cila prej ditësh është diskutuar shumë në opinionin publik. Rama u shpreh se patronazhisti është figura kyçe në zgjedhje duke kontribuar në takime dhe komunikime me kategori të ndryshme njerëzish.
Ai tha se kjo figurë nuk është shfaqur për herë të parë në Shqipëri, por ka qenë e pranishme dhe në përballje mes partive më të mëdha në SHBA. Kështu që sipas tij nuk ka më rëndësi se çfarë thonë të tjerët lidhur me këtë duke iu referuar kështu presidentit, i cili ka shprehur ashpër qëndrimin e tij kundër patronazhistëve.
“Patronazhisti nuk është figurë që u shpik në Shqipëri, s’e krijuam ne. Patronazhisti është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe historisë së përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës, Partisë Republikane dhe Demokratike në SHBA. Patronazhisti kontribuon aty ku i takohet, të kontaktojë me një numër të caktuar familjesh, të komunikojë me kategori të ndryshme dhe të mbajë shënim, se çfarë perceptimi ka për ata që takon. Kështu që, le të thonë ç’të duan ata”, deklaroi Rama.
Rama akuza opozitës
Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me të rinjtë dje në kryeqytet i ktheu përgjigje presidentit Ilir Meta lidhur me akuzat ndaj patronazhistëve teksa nuk munguan as kritikat ndaj opozitës. Rama u shpreh se patronazhistët nuk kanë makina të shtrenjta ndryshe nga mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët sipas tij shfaqen me makina të shtrenjta në tubime për të pritur kryedemokratin Lulzim Basha.
Kryeministri tha se patronazhistët nuk bredhin, por ecin dhe ndalojnë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e duke marrë shënime. “Mesazhi im për ata që merren me patronazhistët, duke filluar nga Ilir Meta. Patronazhistëve t’ju merrni të keqen! Patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta. Kush janë brenda atyre makinave, që shoqërojnë Lulin në turin motoçiklistik me katër rrota.
E keni pyetur veten kush janë brenda në ato makina? Janë vallë ata shqiptarë që s’kanë bukë, që s’kanë punë, që besojnë te puna, te sipërmarrja e tyre e vogël, te teknologjia digjitale, te puna me tokën, tek eksportet bujqësore? Kush janë në ato makina? Patronazhistët tanë nuk bredhin, ata ecin. Ecin dhe ndalojnë. Sepse në çdo hap, marrin shënim, kush je? Si e ke emrin? Si të duket situata? Ndërkohë që ata mendojnë se Shqipëria është rrugëve duke pritur në çdo cep”, u shpreh Rama.