Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës se ai po sillet si diktator dhe si autokrat, duke miratuar në mënyrë të njëanshme ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Por Rama tha se po të ishte diktator, atëherë sipas tij opozita jashtë parlamentare s’do kishte shanse që të ulej në tryezë me atë dhe të firmoste një marrëveshje politike.
Kryeministri foli dhe për zgjedhjen e KQZ-së re, teksa tha se i propozoi opozitës që të kishte kryetarë të KQZ-së, Ilir Rusmalin, ish-zv.kryeministrin e Sali Berishës, ndërkohë që sipas tij ky emër është refuzuar nga PD.
Ai u shpreh se as që mund të imagjinohet që PD të propozonte, Erion Braçen për një post të tillë.
“Sa për diktaturën apo diktatorët, jo diktator e autokrat, por sikur thjeshtë dhe vetëm të isha pak sa Saliu, ata që janë jashtë nuk kishin shans që uleshin në tavolinë, të dëgjoheshin dhe të firmosnim marrëveshje. I çuam Ilir Rusmalin për kryetar të KQZ-së dhe këta e refuzuan. Refuzuan zv.kryeministrin e Saliut.
E imagjinoni që të çonin këta Erion Braçen për kryetar të KQZ-së për ne. Këtë do bëj sot, unë do mbyll hundën dhe do votoj ca personazhe që vijnë nga frigoriferi i SHQUP-it, se s’jam as diktator dhe as autokrat, se PS e ka në ADN e saj qytetarinë.
Ka ndryshim të madh mes meje, jush dhe atyre jashtë! Nëse më gjeni në historinë e fjalëve të mija, duke iu drejtuar edhe Saliut si kriminel si narkoman, atëherë keni të drejt të thoni që jemi njësojë.
Këto janë rrugaçeri, më vjen keq për zonjat që i përdorin këto fjalë, por këto fjalë rrugaçësh. Vetëm rrugaçët u dalin në rrugë dhe u thonë të tjerëve fjalën e fundit. Nëse unë do mendoja në atë formë, atëherë do isha njësojë si ju dhe si ata”, tha Rama.