Kryeministri Edi Rama iu ka bërë sërish thirrje emigrantëve që të dorëzojnë vetë në pikat zarfet me fletët e votimit pasi ditët po shkurtohen. Kreu i qeverisë, nëpërmjet një videoje, apelon emigrantët që të mos e humbasin këtë mundësi historike për të votuar dhe të veprojnë sa më shpejt deri të premten.
“Jemi në një situatë ku është vërtetë inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim me një sërë vendesh të tjera, por si hera e parë duhet të jetë shumë më e lartë dhe kështu do t’iu thosha shqiptarëve të Italisë, që janë në krye të të gjithëve me 74% forca. Janë edhe 21 mijë zarfe të padorëzuar. Do t’u thosha shqiptarëve të Greqisë që janë më pas të gjithëve, jo për fajin e tyre, por konfuzionin e krijuar nga kompania në ditët e para 39% forca, forca. Janë edhe 36 mijë zarfe të padorëzuar por ama ka akoma kohë dhe mos prisni që të vijnë t’ua marrin por kthejeni mbrapsht në pikën postare të DHL. Nga Gjermania janë 72 përqind, por ende 7 mijë pa dorëzuar. Bëni një përpjekje të fundit.
Amerika shumë mbresëlënëse, 70% por janë ende 5 500 pa dorëzuar. Britania e madhe më pak 59% me 7 mijë të padorëzuara ende dhe të tjerat në total kanë shifër goxha inkurajuese, 88% rezultojnë të jenë rreth 15 mijë të dorëzuara nga 17 mijë në total. Por janë edhe 3 mijë që janë në duart e njerëzve ende. Në duart tuaja që më ndiqni nga larg. Do t’u lutesha shumë të ecim sa më shpejt, është mundësi dhe votë historike. Moment historik dhe do të ishte gjynah që pasi keni bërë mundimin për t’u regjistruar, të mos bëni edhe mundimin për të dorëzuar fletën e votimit që tanimë iu ka ardhur.
Në total jemi 65%, fluksi vazhdon të jetë i lartë por ditët po shkurtohen. Deri të premten gjithçka duhet të jetë përfunduar, kështu që forca. Forca për Shqipërinë me BE në Evropë, për pasaportën evropiane të të gjithë shqiptarëve, por edhe për identitetin evropian jo vetëm me zakon, por edhe me ligj e dokumenta dhe për statusin e ri të shqiptarëve në botë, i barabartë me qytetarët e Evropës së bashkuar.”, u shpreh Rama.