Rrjeti investigativ “Birn” ka bërë dje një artikull të fortë sa i takon ndikimit të zgjedhjeve amerikane në Shqipëri, e sidomos pas fitores së Donald Trump në vitin 2016.
Në SHBA zgjedhjet ende nuk kanë nxjerrë një fitues dhe shumë liderë në vendin tonë i kanë sytë atje, pasi politika amerikane ka shumë ndikim në Shqipëri. Sipas rrjetit “Birn”, i cili financohet nga Soros dhe në shumë projekte nga USAID, ardhja e republikanëve në pushtet në 2016 shpëtoi presidentin Ilir Meta nga burgu. “Rreth orës 9 të mëngjesit me orën shqiptare, Donald Trump u shfaq në televizor për të thënë se kishte fituar, se Hillary Clinton e kishte telefonuar për t’i uruar fitoren.
Ambasadori Donald Lu u ngjit në skenë për të ngritur humorin në sallë, ndërsa të pranishmit ishin dukshëm të zhytur thellë në mendime mbi ndryshimet që mund të sillte ndryshimi drastik në politikën amerikane. Lu rikujtoi se Shqipëria ka pasur marrëdhënie të mira njëkohësisht me administratat republikane dhe ato demokrate dhe se politika e jashtme e SHBA-së mbështetet te parimi i vijimësisë.
Vetëm pak më vonë, Ilir Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, mbërriti i buzëqeshur në sallë. Ai dukej jashtëzakonisht i lumtur. Meta e komentoi zgjedhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë si “mrekulli e demokracisë’”, thuhet në artikull. Më tej në artikull tregohet se si presidenti i shpëtoi në atë kohë aferës CEZ-DIA. Rrjeti investigativ tregon se gjatë kohës që ishin demokratë në pushtet dhe përfaqësoheshin me Donald Lu në vendin tonë, ata kërkuan arrestimin e Metës.
“Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë e gjeti Metën në fund të një periudhe të gjatë telashesh politike, akuza për korrupsion masiv, në veçanti në çështjen CEZ-DIA dhe kërcënimeve të hapura nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kundër “politikanëve të korruptuar”. Ndonëse diplomacia amerikane nuk shënjestronte një person të caktuar politik, dyshimet se Meta mund të ishte shënjestra kryesore e një fushate anti-korrupsion dukshëm ishin aty.
Në prill 2018, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi publikisht se sipas tij, ambasadori Donald Lu në Tiranë i pati kërkuar atij arrestimin e Metës. Lu deklaroi se pretendimi i Llallës ishte “gënjeshtër absurde”. Por pavarësisht se ku qëndron e vërteta, ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë duket se pakësoi autoritetin moral të Shteteve të Bashkuara kudo nëpër botë”, thuhet më tej në artikull.
Simpatia e republikanëve
Nëse kthemi pas në kohë, demokratët dhe Meta në 2016 i kishin sytë nga Uashingtoni duke qenë se në 2017 kishim zgjedhje. Janë shpenzuar miliona dollarë për lobime dhe sipas “Birn”, ardhja e republikanëve në pushtet gëzoi Metën e PD, pasi ata gëzonin simpatinë e tyre.
“Në ditën kur Meta shpalli mrekullinë e demokracisë, më 9 nëntor 2016, figura tjetër politike shqiptare, Edi Rama, duket se kishte një siklet. Disa muaj më herët, ndërsa në SHBA zgjedhjet ishin ende në fazën e zgjedhjeve paraprake, Rama pati dhënë një intervistë në rrjetin CNN ku, pati paralajmëruar për pasoja të rënda në rast se Trump zgjidhej president. Basha e kritikoi deklaratën e Ramës për CNN si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara por ndërkohë Basha dhe Meta duket se nxituan të merrnin simpatinë e administratës së re. Meta nuk humbi kohë dhe ndërsa Trump nuk kishte hyrë ende në zyrë në janar 2017, ai nënshkroi një kontratë lobimi për të siguruar një ftesë për ceremoninë e inaugurimit të Trump”, thuhet në artikull.
Mesazh ndaj Metës?
Rrjeti “Birn” financohet nga disa shtet e organizata, por kryesorja është Fondacioni Shoqëria e Hapur, e George Soros. Ky i fundit është kthyer në tabelë qitje nga Meta, i cili e ka akuzuar si puçist ndaj Shqipërisë. Soros është armik i Trump dhe kjo mund të ketë qenë dhe strategji e Ilir Metës. Nga ana tjetër Soros është shumë i lidhur me demokratët dhe pyetja që shtrohet është: A është artikulli një mesazh ndaj Metës se nëse Trump humb zgjedhjet ai mund ta gjej vetën pas hekurave? Mbete për t’u parë, por kohët e fundit kemi pasur një luftë të fortë Meta-Soros.