Avokati i njohur, Idajet Beqiri, ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke zbardhur një sërë prapaskenash tronditëse.
Më 30 qershor, ish-kryeministri pritet të ulet për herë të parë në bankën e të pandehurve, i akuzuar për aferën korruptive “Partizani”, e cilësuar si një nga grabitjet më të mëdha të pasurisë publike në historinë e Shqipërisë apo “grabitja e shekullit”.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “SOT”, Beqiri flet për pasurimin familjar të Berishës, për mënyrën sesi u zhdukën 128 mijë m² tokë dhe miliona euro.
Ai zbulon skemat kriminale të përvetësimit dhe rolin që ka luajtur Berisha në favor të dhëndrit dhe vajzës së tij. Por sipas Beqirit, gjyqi që nis më 30 qershor është vetëm fillimi. Sipas tij, në skenë do të hyjnë edhe dëshmitarë kyç dhe dokumente të reja për ngjarjen tragjike të 21 janarit. madje avokati i njohur, Idajet Beqiri shpreh bindjen se kryedemokrati Berisha do të përballet me drejtësinë për gjithçka ka bërë. Megjithatë sqarojmë se secili prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.
-Avokat Beqiri, po flitet për një të ashtuquajtur “tren bullgar” gjatë votimeve në zgjedhjet e 11 majit. A është kjo një manovër zgjedhore, apo një skenar i sajuar për të mbajtur Sali Berishën me çdo kusht në krye të PD?
Po faktikisht, ajo ishte domethënë fantazi në kokën e Berishës. Një fantazi, një pjellë e keqe domethënë, për të zvarritur procesin, sikurse po zvarritet, dhe për ta çuar sa më gjatë nxjerrjen e rezultatit dhe vulosjen përfundimtare të zgjedhjeve. Pse kërkon një gjë të tillë Partia Demokratike? Po e kërkon thjesht dhe vetëm për Berishën, se ai kërkon të zgjasë jetën e vet në krye të Partisë Demokratike. Pra, që të mbajë postin, ta mbajë me dhunë, me mjete jo statutore, me mjete jo legjitime detyrën e kryetarit të partisë. Derisa e kanë të fiksuar në statut kush humbet zgjedhjet si kryetar partie ikën, dhe ai ka qenë i pari që iu vërsul atëherë Lulzim Bashës dhe i tha: “Derisa ke humbur zgjedhje, ti duhet të japësh dorëheqjen e të ikësh menjëherë”.
Ka qenë i pari në fakt që ka vendosur nenin “Basha” siç e quan ai. Pikërisht, në një situatë të tillë, ai, në vend që të ikte në datë 12 maj, të dilte në një konferencë shtypi dhe të thoshte “i humba”, humbja ishte e thellë, sepse nuk ishte një humbje sido, por ishte një humbje e tillë që nga 2021-shi në 2025-ën, në vend që Partia Demokratike dhe opozita të shënonte një rritje – sepse sido që të jetë pushteti dhe të konsumon katër vjet në mandat, dhe të kishte rritje – ata pësuan 30% rënie. Domethënë, Berisha kaq ishte rënia në krahasim me 2021-shin. Atëherë, në një situatë të tillë, s’ka rrugë shpëtim tjetër sesa ajo që ti të japësh dorëheqjen. Por ai dorëheqjen nuk e jep.
Pse nuk e jep dorëheqjen dhe kush e mban Berishën akoma në këtë gjendje? Nuk e jep dorëheqjen sepse ai Partinë Demokratike nuk e ka si një forcë politike që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve si opozitë ose që të jetë një alternativë e nesërme qeverisëse. Ai e do thjesht dhe vetëm për të mbrojtur veten e tij, për të mbrojtur familjen e tij dhe për të mbrojtur atë organizatë kriminale që ka krijuar faktikisht dhe që shumica e tyre tashmë janë me procese në SPAK. Pra, një pjesë e mirë e udhëheqjes së asaj partie. Ai kërkon ta mbrojë veten, duke thënë që “unë jam opozita”, “po goditet opozita”. Domethënë, po bëhen goditje politike, qoftë me arrestimet që janë gati për të ndodhur, qoftë kundër Flamur Nokës, qoftë Belind Këlliçit e të tjerëve me radhë në atë parti që janë tashmë me procese.
-Avokat Beqiri, ju përmendët hetimet ndaj Flamur Nokës. Konkretisht, për çfarë akuzohet ai dhe pse, sipas jush, pritet të përfundojë i arrestuar?
Po, Flamur Noka, krimet që ka bërë dhe për të cilat është regjistruar procedimi penal, po bëhen hetime ndaj tij edhe për pastrim të parave të pista, edhe për korrupsion pasiv, edhe për mosdeklarim të të ardhurave, edhe deklarime të rreme. Janë tre vepra penale jashtëzakonisht të rënda këto, dhe ai faktikisht po hetohet për to. Po hetohet sepse nuk justifikon milionat e eurove që i ka bërë pasuritë e paluajtshme për vete dhe për pjesëtarët e familjes së tij. Ai korrupsion i lartë shtetëror që ka bërë, sidomos kur ishte ministër i Brendshëm, por edhe para saj kur ishte me Entin e Banesave, do të japë llogari për këto, sikurse po jep llogari.
Por do të japë llogari shumë herë më shumë Sali Berisha për korrupsion të jashtëzakonshëm që ka bërë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, plus pastaj krimet e tjera nga më të rëndat e tij, sepse mbi të kemi theksuar dhe herë të tjera, rëndojnë vrasje makabre. Domethënë, vrasje të tilla që kanë tronditur vendin, dhe është një gjak që nuk mund të falet. Është një gjak që ai vlon faktikisht, i ka duart të lyera me gjak Saliu ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ka vrarë shumë në këtë vend për interesat e familjes së tij, për interesat e Serbisë, pra për interesa anti-shqiptare. Dhe në një situatë të tillë ai do që ta ketë Partinë Demokratike si mburojë. Domethënë: “Unë jam i opozitës sot, unë jam shef i opozitës, dhe për rrjedhojë, plumbi të mos bjerë mbi mua, po të bjerë mbi gjoja të qenurit tim si opozitar, dhe prandaj po më godasin mua këto organe e të tjera me radhë”. Dhe për këtë shkak ai shpik dhe shpif, shpik “trenin bullgar”.
Është një sëmundje në trurin e tij, sepse s’ka tren bullgar në Shqipëri. Nuk mund të ketë tren bullgar kur fleta e votimit është sa një tren. Fleta e votimit tek ne ishte tren. Ishte prej këtu deri atje, dhe që ta marrësh atë fletën e votimit tek ajo kutia që kaq vend ka, dhe t’i futesh atje te kutia. Vetëm kokën ke atje, dorën, se pastaj, më fal, të ndenjurat, t’i shikon komisioni atje, se janë gjithë ata vëzhgues që të shikojnë aty çfarë bën e çfarë nuk bën ti, ku i lëviz duart. Edhe sikur t’i fusësh në xhepa, s’e fut dot. Po do një orë një që ta palosësh “trenin bullgar” që është fletë e votimit, gjithë ajo sa ishte, dhe ju e keni parasysh sa ishte fleta e votimit.
Dhe për çfarë po ndodh? Po numërohen, po shikohen çfarë po del. Absolutisht nuk po del asnjë gjë. Absolutisht po del penallti në kokën e tij, sëmundje në kokën e tij. Dhe për rrjedhojë, kjo çfarë sjell? Vetëm zvarritjen e procesit. Çfarë sjell? Sjell mungesën e besimit te njerëzit, domethënë më të mirë që ti ke, se numëruesit dhe vëzhguesit presupozohen për çdo forcë politike të jenë ajka e asaj force politike, më të mirët, më të ndershmit, më të përkushtuarit.
-Avokat, po thoni se me këtë sjellje, Sali Berisha jo vetëm po zvarrit procesin, por po hedh poshtë edhe punën e vëzhguesve të vet? Po i kthen ata në fajtorë?
Po, e para njëherë, po i bën mosbesues edhe ata, domethënë nga militantë të shquar që kanë qenë dhe që kanë punuar natën edhe ditën duke vëzhguar zgjedhjet, duke i parë mirë dhe duke ndjekur procesin në mënyrë korrekte e të tjera me radhë. Ky po i kthen ata sikur janë hajdutë, edhe sikur këta po bëjnë vjedhje votash edhe kompromise me njëri-tjetrin. Kështu po i bën ata dhe nga ana tjetër rrezikojnë penalisht. Dhe nga ana tjetër, sido që të jetë, gabime njerëzore bëhen kudo. Gabime njerëzore bëhen edhe mund të jetë një fletë që del pa vulë, mund të dalë njëra me një vulë e të tjera me radhë. Këto në fund të fundit janë qëndrime edhe të pakujdesshme. Janë qëndrime që mund të penalizojnë këto, për rrjedhojë, në këto gabimet njerëzore.
Të penalizosh njerëzit e tu duke nxjerrë gabimet e ndryshme: “Kush e bëri këtë në këtë kuti? E bëri filan komisioner”. Po ai do përgjigjet, se do vijë atje do japë llogari: “Për çfarë e bëre? Për çfarë qëllimi e bëre?”. Do justifikojë gabimin njerëzor, por do i duhet punë. Mirëpo ai nuk vete në atë komision atje që të vuajë nëntë muaj të tjera hetim e gjykim e të tjera me radhë. Kështu që, në këtë aspekt, po i penalizon njerëzit e vet. Dhe e dyta, gjoja po nxjerr “masakrën” zgjedhore dhe po nxjerr sytë e tij se po i dalin atje në kuti që këto kandidatët demokratë kanë vjedhur, po kanë vjedhur veten e tyre. Janë hajdutë, domethënë e tregojnë veten që hajdutë të përjetshëm. Në ’92-shin hajdutë, në ’94-ën hajdutë të tmerrshëm edhe vrasës. Madje në ’96-ën hajdutë e vrasës, në ’98-ën të njëjtën gjë, në 2009-ën të njëjtën gjë, edhe tani të njëjtën gjë bëjnë.
-Avokat, çfarë pritet të ndodhë më 30 qershor në gjyqin ndaj Sali Berishës sa i takon aferës “Partizani”? A është kjo dita që nis rrëzimi ligjor i tij përballë akuzave për “grabitjen e shekullit”…
Në 30 qershor, Sali Berisha vete me të gjitha atributet e një të pandehuri, të një personi që akuzohet për korrupsion të lartë shtetëror, për vendimmarrje korruptive në rolin e kryeministrit për të favorizuar familjen e vet, për t’i dhënë një pasuri të madhe kombëtare, edhe për t’i dhënë dhëndrit të vet, çka do të thotë vajzës së vet, çka do të thotë vetes së vet dhe familjes së vet, se një familje janë të gjithë ata. 128 mijë metra katrorë truall, 6 milionë euro i mori të tilla, plus pastaj kompleksi se si u privatizua, e të tjera. Berisha do dënohet për këtë, dhe në 30 qershor fillon gjyqi. Do të paraqesë provat prokurori, edhe radhën e pyetjes së dëshmitarëve dhe marrjes së dokumenteve. Do paraqesin provat e veta avokatët e Berishës. Do fillojë gjykimi në rrugë normale.
Dhe Berisha, vetëm për kompleksin “Partizani”, nëse do tregojë ndonjë lloj pendimi, mundet të zbresë deri në tetë vjet burg. Për kompleksin “Partizani” flas. Nëse do të qëndrojë siç po qëndron sot, që ta quajë SPAK edhe “dum” e të tjera me radhë, edhe të vazhdojë luftën siç po e vazhdon në mënyrë të pa princip kundër organeve të drejtësisë, kundër reformës në drejtësi, ai domethënë, deri në 12 vjet burg i ka hallall vetëm për këtë. Por sapo të vijë 30 qershori që do fillojë ky gjyq, edhe do vazhdojë ky gjyq, ju do dëgjoni bëma të tjera, do dëgjoni bëmën e 21 janarit, e do dëgjoni shumë gjëra të tjera edhe në familjen e vetë Berishës. Po për t’i thënë me radhë ato kur të vijë koha.
Intervistoi: Rigels Seliman/Sot