Në Parlamentin Europian gjatë kësaj të hënë është mbajtur një seancë ku është diskutuar mbi situatën në Shqipëri.
Shqetësim kryesor nga deputetët e Partive Popullore (aleate të PD), është ngritur për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndikimin turk.
Ka pasur edhe nga ata eurodeputetët që janë shprehur të shqetësuar për prodhimin e marijuanës, por pa u bazuar në ndonjë fakt.
Debati
Komisioni i Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian (AFET) zhvilloi një seancë me tematikë mbi situatën në Shqipëri.
Këto seanca janë diskutime rutinore të AFET, ku eurodeputetët diskutojnë mbi zhvillimet me interes në një vend dhe vlerësojnë mbi të dhënat që përcjellin mbi tematikën, përfaqësues të institucioneve të tjera të BE.
Në seancën për vendin tonë bënë një prezantim të ecurisë gjatë këtyre muajve të fundit, përfshirë reagimin dhe ndihmën e BE pas tërmetit dhe përballimin e Covid dhe progresin e reformave të lidhura me integrimin europian, përfaqësuesja e Komisionit, drejtore për Ballkanin në DG NEAR, Genoveva Calavera dhe përfaqësuesja e EEAS, drejtore në detyrë për Evropën dhe Azinë, Angelina Eichhorst.
Në fjalën e përfaqësueseve të institucioneve u evidentuan pozitivisht:
– Menaxhimi efikas i situatës me pandeminë, ku të dhenat referojnë numër më të ulët se në vendet anëtare,
– Vendimi i marsit 2020 për hapjen e negociatave është një moment historik për Shqipërinë, BP ashtu edhe për Europën,
– Pavarësisht krizës Covid-19, Shqipëria mundi të ecë përpara duke bërë progres me reformat e e kërkuara në vendimin e marsit 2020,
– Vullneti politik për të arritur marrëveshje mes partive politike lidhur me reformën elektorale,
– Reforma në drejtësi po jep rezultatet e saj, Gjykata e Lartë arriti të formonte kuorumin për të rinisur punën,
– Në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka patur progres,
– Presim qe së shpejti Shqipëria të marrë në konsideratë mendimet e Komisionit të Venecias, për ligjin për mediat dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese,
– Shqipëria vijon linjëzimin 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
David MCAllister u shpreh i shqetësuar për prishjen e Teatrit:
“Një pjesë e eurodeputetëve kanë mbetur të shqetësuar për vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për shëmbjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj 2020, shpesh i kritikuar si akt i shëmbjes së një monumenti kombëtar dhe trashëgimi kulturore europiane, çka ka sjellë dhe ndalimin e dialogut dhe kompromisit mes forcave politike”, tha ai.
Lidhur me vendimin e shëmbjes së Teatrit Kombëtar, zonja Eichhorst u shpreh se vendimi ishte një zhgënjim në një periudhë kur BE-ja kërkonte dialog.
Ajo tha se autoritetet shqiptare u inkurajuan për të hetuar mbi përdorimin e dhunës ndaj demostruesve.
“Megjithatë, nuk duhet harruar reformat qe janë vazhduar të ndërmerren në Shqipëri, cka është karakterizuar edhe nga marrëveshja mes forcave politike”, tha ajo.
Calavera u shpreh se, megjithëse i vjen keq për situatën e krijuar nga shembja e Teatrit, është kompetencë e plotë e autoriteteve shqiptare të vendosin.
Nga grupi EPP, raporteri në hije David Lega, ngriti cështjen e ligjit për median, të cilin e quajti antikushtetues, antiligjor dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës.
Ai nuk ju referua në asnjë rast faktit që tashmë për këtë cështje ka folur Komisioni i Venecias dhe autoritetet kanë deklaruar se do të zbatojnë këto rekomandime.
Po ashtu ai ngriti cështjen e kanabisit duke parashikuar që do të ketë rritje pasi, policia po merret me mbikqyrjen e situatës së Covid.
Qeveria në Tiranë, tha ai, ka më shumë dëshirë të merret me gazetarët sesa me bosët e drogës.
Këtij reagimi iu përgjigj Calavera duke thënë se Shqipëria monitorohet për cështjen e kanabisit dhe lufta kundër këtij fenomeni ka njohur sukses.
Kryetari i delegacionit të PE për vendin tonë Manolis Kefalogiannis ngriti në parim rëndësinë e mbrojtjes së minoriteteve, pa hyrë në detaje.
Përgjigja e Komisionit ishte që kjo cështje është përfshirë në planin e veprimit të qeverisë dhe e vlerësojnë pozitivisht këtë hap.
Nga grupet e tjera që nuk mbështesin zgjerimin në tërësi, u artikulua ndikimi i Turqisë si presion që gjeti pasyrim në dorëzimin e elementëve të konsideruar si gylenistë në shkelje të të drejtave të njeriut.
Kësaj teze iu kundërvu znj. Eischhorst, e cila e konsideroi të pabazë këtë lloj influence, duke nxjerrë në pah se shqiptarët janë vendi më proeuropian, me një mbështetje 90% për projektin europian, që nuk mund ta gjesh jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Ajo u shpreh se edhe pse në të gjitha vendet e BP mund të ketë influenca nga aktorë të tretë, kjo për arsyen e thjeshtë se vendet kërkojnë mbështetje, ka një diferencë të madhe kur flasim për Shqipërinë.
Pyetjes së raporterit Tonino Picula drejtuar Komisionit për interpretimin e kushteve që ka Shqipëria para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, cështje e cila nuk ka pasur konsensus dhe ka shkaktuar debate midis grupeve, Calavera iu përgjig se 15 aspektet e identifikuara në konkluzionet e Këshillit të marsit 2020 janë shumë të rëndësishmë për përparimin e Shqipërisë drejt BE.
Ajo çka duhet patur parasysh është të bëhet një dallim mes rëndësisë dhe numrit të kushteve të vendosura për t’u përmbushur.
Nuk janë “15 kushte” për hapjen e negociatave dhe për të patur mbledhjen e parë IGC, por janë disa kushte të cilat duhet të përmbushen përpara mbledhjes IGC dhe të tjera të cilat do të realizohen në të ardhmen.
Keto elemente do të reflektohen në kuadrin negociues dhe do të diskutohen nga vendet anëtare të BE-së në Këshill.