Analisti Frrok Çupi shprehet se protesta për vrasjen e Klodian Rashës u shua shumë shpejt pasi pas saj fshihej politika. Sipas Çupit shqiptarët humbën mundësinë për të treguar reagimin e tyre të denjë pas kësaj vrasjeje që tronditi opinionin. Sipas tij, shqiptarët duhet të dilnin të bënin homazhe në mënyrë paqësore në bulevard dhe jo të dhunonin.
Një nga arsyet se përse kjo protestë u shua shumë shpejt sipas Çupit, është edhe fakti se SHBA e ka paralajmëruar PD dhe LSI që nëse ndezin një fije shkrepseje në bulevard do të shpallen celula të dhunës.
“Ka disa arsye pse ‘protesta’ u fik shpejt, ndoshta shumë arsye. Një arsye, ndoshta kryesore, pse protesta nuk kishte frymëzim as kauzë. Si të thuash pse shuhet një zjarr që nuk ka as prush as shkarpa… Ata thanë se po protestonin për ‘vrasjen e Klodianit’…
Dhimbja e një vrasjeje, sidomos në ato rrethana, nuk është frymëzim për protestë. Ajo vdekje aq e dhimbshme, do të ishte frymëzim për procesion dhe amëshim, për miliona lule dhe qirinj, për qindra mijëra njerëz në shesh me heshtje e me ‘class stance’. Po kujt t’i thuash? Shoqëria jonë humbi edhe një rast për t’u ndarë nga ateizmi i këtyre që ndotën qytetin; kishte rast të manifestonte deontologjinë e mortjes dhe kodin tonë të lashtë të vdekjes. Po ja… Arsye tjetër është se këta, njëqind a dyqind vetë, i zunë ‘fronin’ popullit. Populli do të dilte të manifestonte Mesinë e vet. Por nuk lejuan popullin në fron, dhe lëvizja do të mbaronte si flaka e kashtës.
Arsye e tretë e shuarjes është se prapa këtyre ‘protestuesve qëndrojnë fshehurazi dy partitë politike që kanë humbur pushtetin dhe e kërkojnë pa vota. Kjo dëshmoi se populli nuk ka më lidhje me ‘pushtetin e vjetër’. Ka edhe një arsye, që për mua është prezent fatmirësisht: Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë me dije dy partive (PD-LSI) se edhe një shkrepëse po të ndezin në bulevard a mbi institucione, atëherë do të shpallen celula të dhunës. Por a e dini çfarë do të thotë kjo? Ata të të dy partive e dinë shumë mirë, sepse e njohin mirë aromën e pushtetit: Që në atë moment PD do të quhej Hamas dhe LSI- Hasbullah, për shembull. Dhe një arsye shumë e rëndësishme: Policia manifestoi forcën e duhur dhe profesionalizëm në mbrojtje të interesave të kombit.”, shprehet Çupi për Fjala.