Tirana jonë, qytet i bukur e ndryshuar dhe e rindërtuar, por jo për mua e as për shokët e mi, që punojmë e rropatemi gjithë ditën, por për ata që dalin për shëtitje dhe soditje, herë në këmbë dhe herë me biçikleta… për sport.
Qejf i madh në Tiranë të argëtohesh, por tmerr i madh të jetosh, të udhëtosh për punë, të nxitosh kur nuk mbërrin askund. Qyteti jonë i bukur, t’i mbush mushkritë me blozën e tymit të makinave që pagdhirë, ku njerëzit nuk kanë asnjë alternativë tjetër, për të kryer hallet dhe punët e tyre.
Tymi… o nëne o nëne! Nëse e shikon nga mali i Dajtit, qyteti nuk ekziston, a thua se e ka përpirë tymi pa fund i TEC-eve gjigand të qymyrgurit, që nuk gjenden gjëkundi. Por nuk mjafton kjo mbytja nga gazrat, sepse në çdo dy metra të dalin furgona e kamiona që ndalojnë e shkarkojnë… arka, rroba, kutia dhe gjithfarë mallrash, e ti duhet të presësh çdo 50 metra me minuta të tëra, duke djegur paratë e djersës tënde, deri kur shpërndarësi i fundit, i lëshuar me leje nga bashkia në rrugë, të mbaroj punë… për të fituar, duke luajtur me durimin dhe xhepin tonë. Ai ka leje, orë e pa orë, të ndaloi dhe furnizoi dhe Bashkia të fitoi, duke na masakruar ne.
Z. Veliaj, në asnjë kryeqytet të botës, nuk lejohen mjetet e furnizimit tregëtar të punojnë gjatë ditës, madje edhe veturat në vende me trafik të rënduar qarkullojnë një ditë po një ditë jo, sipas gërmave të targave, sot makinat me targa A nesër me targa B… por me sa duket, drejtuesit tuaj të gjithëshëtitur e “gjithëditur” nuk e paskan vënë re këtë gjë.
Së fundmi i ke kthyer biçikletat në rrezik për kalimtarët, gra, fëmijë, edhe të moshuar, por edhe drejtuesit e mjeteve që mund ti aksidentojnë në çdo moment, sepse çiklistat e qytetit lëshohen “kokërr plumbi” në korsitë sa për dy makina, ku nuk i ke vendosur asnjë sinjalistik detyruese, e ca dhe nga padija, nuk “hanë pykë” fare nga rregullat e qarkullimit. Ndërsa kalimtarëve ua ke bërë rrugët e qytetit në autostrada, ku mbi to mungojnë mbikalimet, dhe “ruajna zot nga rreziku” që i pret, kur duan të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin… pa u shtypur nga dyrrotakët.
Lëre pastaj kur kthehesh në shtëpi! Duhet të bësh dy orë xhiro për t’u parkuar dhe shpëtuar nga ky makth i ditës, sepse karta juaj e rezidentit vlen sa për të fshirë prapanicën. Miqtë e policëve tuaj dhe dhjetëra hallexhinj, në mungesë të parkingjeve që ua kanë zënë biçikletat e famshme, janë gati të paguajnë gjobë dhe t’i vendosin makinat e tyre kudo, pa pyetur për pasojat dhe kjo është një djallëzi tjetër e sajuar bukur nga ju, që të vilni sa më shumë… “hem për Lalën, hem për Salën”.
Nuk e di a lexon dhe a merr informacion, se çfarë ndodh realisht në Tiranë, por në sondazhin e fundit qyteti që ti menaxhon dhe paguhesh për këtë, është listuar si kryeqyteti më i ndotur në Europë, duke lënë pas dhe metropole të mëdhenj industrial, si Milano e dhjetra të tjerë, edhe pse kemi vetëm punishte patatinash?!
Ndotja prej karbonit të karburantit që digjet nga mijëra makina, që rrinë me orë të tëra të bllokuar në trafikun e krijuar nga injorantët që të rrethojnë dhe as që e kanë idenë e organizimit të qarkullimit, në një qytet pa asnjë alternativë tjetër për të udhëtuar, po bëhet një vrasës i ri, i shpikur nga ju për qytetarët e Tiranës.
Duhet netë të tëra për t’i renditur bëmat tuaja, po pak nga pak do ti themi çdo natë, se ndoshta na dëgjon e të prishet mendja të heqësh dorë. Nëse të është mërzitur drejtimi i kryeqytetit, çfarë taksirati dhe borxhi të kemi ne, që të na mërzisësh jetën në qyetin tonë?! Nga një mik që të do të mirën, ty dhe qytetit tonë./ Ekskluzive.al