Presidenti po dëshmon nga dita në ditë se është në krah të opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka filluar të tërhiqet nga skenarët e dhunës dhe destabilizimit, por kjo duket se e ka shqetësuar tej mase dyshen Berisha-Meta. Ish-kryeministri Sali Berisha të hënën, teksa ishte i ftuar në një studio televizive bëri sërish thirrje për dhunë.
Ndërsa Presidenti Ilir Meta po sulmon shumë fort qeverinë. Por këto sulme të kreut të shtetit nuk janë spontane, pasi që kur opozita dogji mandatet dhe deri më sot, Meta po tenton të bëhet protagonist, duke intimiduar mazhorancën qeverisëse. Pra, duket qartë që Presidenti i Republikës, i cili duhet të qëndronte mbi palët, me këto lëvizje jo vetëm që nuk po qëndron mbi palët, por është bërë palë me opozitën.
Në çdo deklaratë dhe dalje publike, Meta ka hedhur akuza dhe ka sulmuar qeverinë, ndërsa me opozitën është treguar zemërbutë, duke e mbështetur. Pak ditë më parë aleatët e Bashës i kërkuan kreut të shtetit një takim për zgjidhjen e krizës. Meta i priti në takim, por ende nuk ka thirrur një tryezë me gjithë aktorët politikë, përfshi mazhorancën, për të diskutuar për hapat që duhet të ndiqen për zgjidhjen e krizës.
Ndërkohë që një tjetër fakt që tregon qartë se presidenti Ilir Meta është kundër qeverisë, ka të bëjë me sulmet e tij të fundit në adresë të mazhorancës socialiste dhe reformës në drejtësi, duke treguar qartë se ai tanimë është bërë palë me opozitën. Kështu, pas akuzave të lëshuara vetëm pak ditë më parë, sa i takon prishjes së banesave tek “Bregu i Lumit”, dhe për grabitjen e Rinasit, Meta doli kundër qeverisë edhe për vendosjen e ushtrisë në aeroport, si dhe për ndërtimin e shkollës në Kamëz.
Ndërkohë që ditët e fundit, një tjetër fakt që tregon se ai po mbështet në prapavijë është sulmi që i bëri qeverisë për raportin e “Reporterëve pa Kufij” për lirinë e medias, si dhe reformës në drejtësi, për të cilën tha se është përgjegjëse për shpartallimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa një tjetër detaj që tregon se Meta është kundër qeverisë, është kthimi për rishqyrtim i plot 9 ligjeve, mes tyre ai “Për noterin” dhe “Vetingu në polici” dhe refuzimi për të shkarkuar Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Pra, të gjitha këto çështje dhe ligje janë sulmuar hapur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që në të njëjtën linjë me to është rreshtuar edhe Meta, duke dëshmuar se presidenti po bën opozitë më shumë se opozita.
Shkrirja e LSI alarmon presidentin
Janë disa arsye të ndryshme, që e kanë irrituar tej mase kreun e shtetit, i cili për të ruajtur dominimin e tij ka nisur sulmet institucionale ndaj qeverisë. E para ka të bëjë me frikën e asgjësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga skena politike. Djegia e mandateve dhe bojkoti i paralajmëruar i zgjedhjeve vendore, dëmton më shumë partinë presidenciale. Kjo pasi shumë nga deputetët e rinj që kanë pranuar mandatin i përkasin listës së kandidatëve të LSI, sa i takon zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.
Ndërsa bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit, mund të rezultojë fatale për ish-partinë e Metës, pasi shumë militantë të kësaj force politike janë të punësuar në bashkitë e drejtuara nga LSI.
Kështu që, në rast se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk merr pjesë në zgjedhje, ajo do t’i humbë bashkitë që drejton dhe njerëzit e saj do të mbeten pa punë, duke sjellë kështu edhe shkrirjen e partisë së Kryemadhit. Pra, duket qartë që presidenti Meta është alarmuar nga shkrirja e LSI, andaj dhe është hedhur në sulm ndaj mazhorancës qeverisëse.
Rigels Seliman