Shqipëria pritet që të ketë 1 Gjykatë Apeli dhe 12 gjykata rrethesh. Mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili propozoi edhe hartën gjyqësore, pati përplasje pak kohë më parë, kur në krye të saj ishte Etilda Gjonaj.
Ndërkohë, ministri i ri i Drejtësisë Ulsi Manja, e ka pranuar propozimin e KLGJ dhe ka dhënë dakordësinë për draftin e hartës së re gjyqësore. Në një intervistë televizive, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se po diskutohen një pjesë të shqetësimeve në lidhje me draftin që kanë të bëjnë me shërbimet për qytetarët.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se mbështet draftin e Kolegjit të Lartë Gjyqësor, por i ka adresuar grupit të punës disa nga shqetësimet e ardhura nga qytetarët dhe grupet e interesit, të cilat do të pasqyrohen në draftin përfundimtar.
“Parimisht kemi dhënë dakordësinë për propozimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i kemi kërkuar që harta e re gjyqësore të marrë një balancë mes shërbimeve gjyqësore të qytetarëve por edhe efikasitetit të gjyqësorit”, tha ai. Ndër të tjera, Manja tha se dokumenti do të konsultohet edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrinë e Financave dhe avokatët dhe më pas drafti do ti kalojë qeverisë për miratim.
Ai theksoi, se drafti do të ketë edhe një konsultim me grupet e interesit dhe gjyqtarët e prokurorët. “Do të ketë një draft të përbashkët të Kolegjit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë të dakordësuar që më pas do ti shkojë për mendim Ministrisë së Financave, KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Natyrisht do ti nënshtrohet dhe tryezave të konsultimit me grupet e interesit, me gjyqtarët, prokurorët por pse jo dhe me komunitetin e avokatëve në Shqipëri”, tha ai.
Harta e re gjyqësore
Ndërkohë, sa i përket hartës së re gjyqësore dhe bashkive që do të shkrihen, Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon bashkim të disa gjykatave në vend. Kështu është propozuar bashkim i Gjykatës së Durrësit me atë të Kavajës dhe Krujës dhe bashkim të Gjykatës së Dibrës me atë të Matit.
Gjykatën e Fierit, Kolegji i Lartë Gjyqësor vlerëson ta bashkojë me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i Gjykatës së Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit. Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i Gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë.
Pra vendi do të ketë 12 gjykata në 12 qarqe. Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka në plan që të shkrijë gjithashtu të gjitha gjykatat e Apelit në vend dhe të kemi një të re në Tiranë, e cila do të jetë e vetme. Por, Ministria e Drejtësisë është kundër këtij plani, pasi kjo sipas saj do të lindte nevojën e ndërtimit të një godine të re si edhe do të shtonte kostot e transportimit të të burgosurve, apo kostot e dietave të avokatëve.