Vetëm pak vite më parë, Goldman Sachs kishte ambicie për të krijuar një markë hotelesh në Greqi që një ditë mund të zgjerohej në vendet përreth Mesdheut.
Gjiganti i Wall Street bleu tre resorte bregdetare në Greqinë veriore në vitin 2022, me planet për t’i përmirësuar ato dhe për të filluar të mirëpresë mysafirë që këtë vit. Turizmi në vend ishte në kulmin e tij dhe banka pa një mundësi për të blerë prona në kontinent me pamje nga Deti Egje, në vend të ishujve më të shtrenjtë grekë.
Këtë pranverë, Goldman Sasch shiti papritur tre hotelet, duke arritur të marrë me vështurësi rreth 100 milionë eurot që kishte investuar në projekt, sipas njerëzve të njohur me çështjen. Gjithashtu, grupi bankar hoqi planet e saj për një markë hotelesh në rajon, thanë njerëzit.
Resortet nuk u hapën kurrë dhe disa punonjës që punuan në investim nuk janë më me firmën.
Mediat greke e përshkruan marrëveshjen si një “goditje “.
Ndërsa investimi ishte i vogël për divizionin e menaxhimit të aseteve të Goldman, ai ishte simbolik i kërkimit të firmës për fitime të mëdha dhe tarifa të qëndrueshme për të kompensuar bizneset e saj fitimprurëse, por të paqëndrueshme në Ëall Street. Qëllimi i saj në Greqi ishte të përdorte kryesisht paratë dhe financimin e klientëve për të rritur vlerën e hoteleve, dhe më pas të regjistronte fitime të mëdha kur ato të shiteshin. Gjatë gjithë kohës, Goldman do të mblidhte tarifa menaxhimi nga klientët, paratë e të cilëve ishin investuar.
Kur bleu resortet, Goldman u josh nga ekonomia në forcim e vendit, përqafimi i investimeve të huaja dhe çmimet më të lira të pronave krahasuar me Evropën Perëndimore. Shumë hotele në Greqi janë gjithashtu në pronësi familjare dhe po kalojnë duart te brezat e rinj që janë më të hapur për shitje.
Firma të tjera kishin investuar gjithashtu në vend, përfshirë bastin e suksesshëm të Blackstone me Hotel Investment Partners, e cila ka një portofol prej dhjetëra hotelesh në Mesdhe që janë përhapur duke përfshirë rreth 10 në Greqi. Goldman vendosi që aventura e saj mesdhetare do fillonte në Greqi.
Firma vijoi të kërkonte blerje të tjera hotelesh dhe eksploroi blerjen e Grand Resort Lagonissi, sipas njerëzve të njohur me çështjen. Hoteli ndodhet në një zonë të njohur si Riviera Atheniane, një shtrirje plazhesh me hotele dhe rezidenca të reja luksoze. Goldman nuk e ndoqi këtë projekt.
Rreth verës së kaluar, presidenti i Goldman, John Waldron, vizitoi Greqinë dhe u takua me kryeministrin e vendit dhe drejtuesit ekzekutivë të bankave lokale. Mesazhi i tij ishte i qartë: Goldman ishte investuar në vend në një mënyrë të madhe, si përmes investimeve bankare ashtu edhe përmes menaxhimit të aseteve.
Por në atë kohë, investimi i Goldman në hotele po përkeqësohej. Rinovimet kërkonin një investim që do kushtonte shumë më tepër sesa kishte pritur firma.
Vonesat dhe tejkalimi i buxhetit
Goldman kishte planifikuar kryesisht të shembte dhe rindërtonte hotelet, të vendosura në gadishullin verior të Greqisë, Halkidiki, përpara se t’i hapte përsëri dyert e tyre.
Punonjësit e menaxhimit të aseteve të firmës në Londër dhe Spanjë punuan për investimin nga skajet e kundërta të Evropës, me një partner në Madrid në krye. Banka vendosi të krijonte ekipin e saj të menaxhimit për të mbikëqyrur rinovimin, në vend që të punësonte një firmë me përvojë në sektorin e hoteleve siç kishin bërë të tjerët.
Goldman nuk kishte lidhjet e duhura për të kapërcyer lehtësisht pengesat e ndërtimit në terren. Ajo krijoi një platformë mikpritjeje në Greqi të quajtur “Ousia”, që do thotë lëndë, e cila do mbikëqyrte resortet dhe do ndihmonte në gjetjen e investimeve të reja në hotele. Kishte rreth 10 punonjës në Athinë, përfshirë disa me përvojë të konsiderueshme në industrinë e hotelerisë.
Rreth një vit pas investimit të Goldman, vonesat me lejet, ndërtimin dhe inxhinierinë filluan të bëheshin shqetësim.
Goldman e kuptoi se do të kishte nevojë për më shumë kohë dhe para për të përfunduar projektin. Plani fillestar kishte qenë të investonte midis rreth 150 milionë dhe 200 milionë euro. Kostot për materialet e ndërtimit dhe punën u rritën, duke ulur fitimet e parashikuara të investimit.
Në një çast, Goldman dhe një kompani ndërtimi me të cilën po punonte vendosën të ndaheshin. Goldman pati diskutime paraprake me një partner vendas për të ndihmuar me punën. Rreth vjeshtës së kaluar, Goldman filloi të shqyrtonte shitjen. Firma i shiti hotelet në pranverë te Sani/Ikos Group, një kompani private që zotëron dhe operon hotele në Greqi dhe Spanjë.
Në fund, Goldman vendosi të tërhiqej plotësisht nga investimet në hoteleri në vend, me përjashtim të aksioneve të saj të pakicës në kompaninë e investimeve në pasuri të paluajtshme Prodea. Goldman tha se vlerëson heqjen dorë nga investimet kur është në interes të klientëve të saj.
“Ne i menaxhojmë në mënyrë aktive të gjitha investimet tona, duke ruajtur një fokus të fortë në disiplinën operative dhe vlerën e shtuar”, tha një zëdhënëse.
Fokusi i firmës në bankën e investimeve dhe menaxhimin e aseteve në Greqi mbetet i pandryshuar.
Pronari i ri i hoteleve njoftoi një investim prej më shumë se 400 milionë eurosh në projekt. Pronat do kenë gati 750 dhoma, pishina të shumta, më shumë se 30 restorante dhe bare, teatro dhe SPA.
Hotelet janë planifikuar të hapen në vitin 2029.
WSJ – Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani