Një nga skandalet më tronditëse të korrupsionit institucional ka shpërthyer në zyrat e Kadastrës (Hipotekës shqiptare), ku në qendër është Lorena Goxhobelli, drejtoresha e Përgjithshme e këtij institucioni.
Burime të sigurta tregojnë se nën drejtimin e saj, dyshohet se Kadastra është kthyer në një skemë të mirëfilltë mafioze, ku qytetarët sorollaten për muaj të tërë, për të marrë një certifikatë pronësie, përveç nëse paguajnë ryshfet të majmë nga 5 mijë deri në 50 mijë euro. Ky është vetëm maja e ajsbergut.
Nga Tirana në Vlorë, Durrës, Shkodër e deri në Gjirokastër, qytetarët denoncojnë skema të njëjta abuzimi dhe zhvatjeje. Zemra e këtij rrjeti mafioz duket se pulson fort në Vlorë, ku 5 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t janë marrë të pandehur, nën akuza për zhdukje dosjesh, falsifikim dhe tjetërsim pronash në zonat më të lakmuara bregdetare.
Dosja e shtetasit me iniciale I.K. është zhdukur me qëllim dhe është zëvendësuar me atë të shtetasit me iniciale H.Gj., biznesmen i lidhur me strukturat e abuzimit. Prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre, ndërsa skema përfshin edhe tjetërsimin e 1430 m² në zonën elitare të “Perivollos”. Por ky është vetëm fillimi.
Indicia më e rëndë është se ky rrjet dyshohet se ka mbështetje nga lart dhe Goxhobelli është emri kyç që mban gjallë këtë makineri zhvatjeje kombëtare. Megjithatë çdo ditë që kalon pa hetim të thelluar, pronat e shqiptarëve kthehen në pre të mafies së legalizimeve. Por tani, gjithë vendi pret një përgjigje: A do veprojë SPAK, apo do heshtë përballë këtij “grabitqari me logo shteti”?
Ndërkohë sinjalet se paligjshmëria është ulur këmbëkryq në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK ose Hipotekat apo ish-ALUIZNI), institucion ky që drejtohet nga zonja Lorena Goxhobelli, vijnë nga Vlora. Plot pesë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Vlorë, janë marrë të pandehur dhe rrezikojnë të dënohet me 2 muaj burgim për akuzën e “Kryerjes së veprimeve të pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ish-drejtuesi i legalizimeve në Vlorë, Ardian Musta dhe 4 vartësit e tij Adiseldo Rrapaj, Mimoza Rushani, Krupskaja Gjika dhe Ariton Kasaj, janë marrë të pandehur lidhur me një rast flagrant të legalizimit të 12 objekteve të ndërtuara në kompleksin “Ambel Beach”.
Sipas hetimeve të kryera rezultoi se të pestë ish-zyrtarët e ALUIZNI-t, kanë kryer veprime të kundraligjshme duke zhdukur një dosje të aplikuar nga Ilir Koka, me qëllim legalizimin e disa objekteve në fshatin Dhërmi të Himarës. Zhdukja e dosjes së aplikuesit Ilir Koka, sipas prokurorisë së Vlorës është kryer me qëllim.
Pasi në vend të saj dhe me të njëjtin numër aplikimi është futur dosja e Helidon Gjikokës, i cili ka pretenduar se është ai ndërtuesi i 12 objekteve në kompleksin “Ambel Beach”. Nisur nga kjo situatë, prokurori i Vlorës, Edmond Forfi, në pretencën e tij, lexuar para gjyqtares Arbana Osmanaj, ka kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me nga 2 muaj burg për secilin nga 5 ish-zyrtarët e ALUIZNI-t Vlorë, raporton “Ora News”.
Tashmë pritet që në seancën e radhës përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve të japin konkluzionet e tyre dhe më pas gjykata të shprehet me vendim. Ky grup ish-zyrtarësh, rezulton të jetë marrë i pandehur dhe në episode të tjerë, duke u akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”, me qëllim tjetërsimin e pronave në zona të ndryshme të Vlorës, Dhërmiut dhe Himarës.
I njëjti grup, kanë mbështetur interesat e biznesmenit Helidon Gjikoka, duke sjellë përmes mashtrimit tjetërsimin e një sipërfaqe toke prej 1430 m2 toke që ndodhet në zonën “Perivollo” të Dhërmiut. Sqarim: Secili prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.