Pjesa dërrmuese e sondazheve në vend nxjerrin Partinë Socialiste fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Prej disa javësh në shumë media janë publikuar sondazhe të ndryshme, ku PS-në e nxjerrin forcë të parë në zgjedhje në nivel kombëtar, PD-në subjekt politik në rritje krahasuar me zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2017, ndërsa LSI dhe PDIU rezultojnë partitë më pak të votuara nga qytetarët, duke rrezikuar të shkojnë drejt katastrofës.
Kështu festivalin e kësaj jave e hapi dy ditë më parë “Report Tv” dhe instituti prestigjioz italian Piepoli, të cilët pasqyruan rezultatet e sondazhit të katërt për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot shqiptarët do t’i jepnin një mandat të tretë, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, konkretisht 47 deri në 51 % e votuesve pëlqejnë mazhorancën aktuale, mbështetje që përkthehet në 69 deri në 73 mandate, por në krahasim me sondazhin e muajit shkurt, PS humb një mandat në rang kombëtar.
Ndërsa Partia Demokratike, bashkë me 12 parti të tjera sot do të votoheshin nga 37 deri në 41 % e qytetarëve, duke pësuar një rritje, që përkthehet në 54 deri në 56 mandate. Ndërkohë sipas sondazhit të “Piepoli”, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, Lëvizja Socialiste për Integrim në rang kombëtar do të votohej nga 4 deri në 8% e shqiptarëve që përkthehet në 8 deri në 10 mandate, por që ka një rënie të madhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017 kur mori 19 mandate. Nga ana tjetër, partia më e rrezikuar tregohet Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila nëse do dilte vetë nuk merr asnjë mandat.
Sondazhi i MRB
Por pas sondazhit të “Piepolit”, edhe sondazhi i kompanisë “MRB” për “Euronews Albania”, i publikuar dje e nxjerr Partinë Socialiste e nxjerr forcë të parë në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa Partinë Demokratike e nxjerr në rritje, krahasuar me sondazhin e fundit të publikuar nga kjo media në muajin shkurt he zgjedhjet e 2017. Kështu nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën, PS do të fitonte në Tiranë 42%, PD 31.7%.
Ndërkohë, sipas këtij sondazhi, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një rënie, pasi nëse zgjedhjet mbaheshin këtë të dielë, ajo do të merrte vetëm 6.4% të votave, ndonëse në sondazhin e fundit kishte siguruar 7.6% e votave. Pra, për një muaj partia e Kryemadhit ka një rënie me 1 pikë, ç’ka tregon se ajo po tkurret.
Mirëpo, nga ky rezultat ndarja e mandateve për kryeqytetin do të ishte PS fiton 19 mandate, PD 15 mandate, ndërsa LSI 2 mandate. Sondazhi zgjedhor Barometri Politik i “Euronews Albania” dhe MBR zbuloi se 44.1% e qytetarëve në Tiranë mendojnë se Edi Rama është lideri politik më i përshtatshëm për të drejtuar vendin, kundrejt 34.1% e të anketuarve që preferojnë të shohin në karrigen e kryeministrit liderin e PD, Lulzim Basha.
Sondazhi i “IPSOS”
Ndërkohë, dje edhe “Top Channel” në bashkëpunim me gjigantin botëror të sondazheve, kompaninë “IPSOS”, ka publikuar të dhënat e sondazhit të dytë për zgjedhjet e 25 Prillit në emisionin “Open” drejtuar nga gazetarja Eni Vasili. Sipas sondazhit, sa i takon Tiranës, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel Partia Socialiste do të fitonte 48.1% të votave.
E përkthyer në mandate deputeti PS do të merrte 19 mandate në Tiranë, 1 më shumë se në 2017. Nga ana tjetër, 42.6% do të votonin për koalicionin e PD, e përkthyer në 16 mandate, 5 më shumë se në vitin 2017 në Tiranë. LSI, sipas sondazhit pëson një rënie dramatike, me vetëm 3.4% të votave, ose 1 mandat.
Surpriza ka qenë Durrësi sipas këtij sondazhi. PD është para PS në vota dhe marrin nga 7 mandate, ndërkohë LSI nuk merr asnjë mandat. Në Elbasan, sipas këtij sondazhi PS merr 8 mandate, PD merr 6 mandate, ndërsa LSI 0. Ndërkohë sipas këtij sondazhi PS në rang kombëtar merr 48.7 për qind të votave, PD merr 40.6 për qind të votave dhe LSI merr 4.6 për qind të votave.