Vila në Lalz e zona bregdetare kanë krerët e partive, ministrat PS-PD-LSI dhe 9 prokurorë e ish-shefi i SPAK; madje 2 vilat më të mëdha, luksose e me 2000 m2 park të gjelbëruar, shërbëtorë e roje i kanë Sali Berisha e Ilir Meta, por shefat e SPAK “nuk i panë” as tani që shkuan për kontroll te vila e bashkëjetueses së Ahmetajt, megjithëse kaluan te kangjellat e tyre…
Paçka se ish-ministri Arben Ahmetaj, nuk ka hedhur asnjë firmë për 3 koncesionet e landfilleve, SPAK kontrolloi banesën e ish-gruas dhe vilën e bashkëjetueses së tij, si person nën hetim për korrupsion e pastrim parash me Klodian Zoton e Stela Gugalljan.
Çudia e parë është fakti, se megjithëse Zoto e Gugallja janë prej 15 muajsh në kërkim me masën “Arrest me burg”, SPAK që kontrolloi Ahmetajn, nuk ka bërë asnjë kontroll në vilat, apartamentet, bar-kafet, restorantet, palestrat, tokat dhe fermat agro-blegtorale të tyre, madje nuk ka nxjerrë asnjë urdhër sekuestroje as për makinat luksoze që kanë.
Çudia e dytë është fakti, se SPAK tamam si “skifter” shkoi direkt te vila e bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj, vetëm me indicien, se dyshohet që është pronë e tij, transferuar e fshehur nga Klodian Zoto nëpërmjet personave të tjerë.
Por edhe nëse ajo vilë do të ishte në emrin e Arben Ahmetajt, SPAK e di që në Lalz nuk ka vilë vetëm Arben Ahmetaj. E gjersa shkoi në Lalz bashkë me 5 agjentët e BKH e 30 policë, duhej të “ngrinin çadrën” atje dhe të verifikonin kush i ka gjithë ato vila luksoze.
SPAK e di, që Vila në Lalz kanë krerët e partive, ministrat dhe ish-ministrat e PS-PD-LSI, si Ritvan Bode, Genc Pollo, Ilir Beqja, Genc Ruli, Blendi Klosi, Çuçi, Balluku, Ogerta Manastirliu, Ermonela Felaj, Arben Imami, Sandër Lleshaj, Nasip Naço, Lindita Nikolla, Petrit Vasili, Ilirjan Celibashi, Erjon Braçe, Niko Peleshi, Arben Ristani, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Milva Ikonomi e deri te Plarent Ndreca i tenderit të uniformave policore.
Vila në Lalz kanë zv/ministra, drejtorë e ish-drejtorë policie, tatimesh, doganash, energjie, pronash, hipoteke, Poste, rrugësh, portesh detare e Rinas, drejtorë qendrorë shëndetësie e spitalesh, kryebashkiakë, shefa shtabi të ushtrisë, ambasadorë, prokurorë, gjyqtarë e rektorë univesitetesh të 20 viteve të fundit.
P.sh., shefi i SPAK, Altin Dumani, e di që vila në Lalz kanë edhe prokurorë të SPAK, madje edhe ish-drejtuesi Arben Kraja, që deklaron se e ka blerë me kursimet nga paga, ndërkohë që ka 3 apartamente në Tiranë, vilë në Himarë dhe apartamente në Golem, Sarandë e Velipojë.
SPAK e di, që 2 vilat më të mëdha, më luksoze, me nga 2000 m2 park të gjelbëruar, me kafshë e shpendë të rralla dhe shërbëtorë e roje, i kanë Sali Berisha e Ilir Meta, të ndërtuara në toka që ia kanë vjedhur shtetit kur ishin në pushtet, por prej 3 vitesh, shefat e SPAK nuk i konsiderojnë indicie e prova për hetim korrupsioni dhe pastrim parash.
Madje agjentët e BKH dhe prokurorët e SPAK, “nuk i panë” vilat e Saliut e Ilirit, as tani që shkuan për të kontrolluar vilën e bashkëjetueses së Arben Ahmetaj, megjithëse kaluan te kangjellat dhe portat e vilave të tyre, tipike si rezidenca sheikësh.
Nuk themi, që të mos hetohet Arben Ahmetaj, madje të përgjigjet ‘një më një’ nëse është i implikuar në aferën e landfilleve, por përse nuk hetohen të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e shtetit që kanë vila në Lalz, madje edhe pallate, resorte, restorante, kazino, hotele e nga 5-6 apartamente në fshatrat, qytetet dhe qendrat e vijës bregdetare Ksamil-Velipojë./Pamfleti