Avokat Spartak Ngjela ka deklaruar dje se kërcënimet e Berishës se do të marrë sërish në dorë frenat e PD, nuk e shpëtojnë dot nga revanshi amerikan.
Sipas Ngjelës, Berisha mendon që rikthimin në krye të PD do mund ta përdorë kundër atyre që po i zbulojnë shkeljet, po në të vërtetë ai po e fundos më shumë veten. Avokati tha se, këto deklarata të Berishës tregojnë që ai është në një gjendje të trazuar psikike dhe nuk mund të ndikojë aspak tek amerikanët. “Berisha po u thotë amerikanëve: “Unë do të marr sërish Partinë Demokratike”.
Siç shihet, këtij po i duket se po merr kryesinë e Partisë Demokratike në Uashington. Është në rënie mendore, prandaj amerikanët po qeshin me të për gjendjen psikike që paraqet, sidomos për atë “dashurinë e tij të madhe” për Amerikën, që i ngjan si dy pika uji “dashurisë” së Enver Hoxhës për Bashkimin Sovjetik, kur politika sovjetike e kishte quajtur armik të Bashkimit Sovjetik.
Historia e një vendi e përsërit vetveten edhe në përsëritjen e liderëve me marrëzi të barabartë. Kjo është e njohur tani”, shkruan ai. Spartak Ngjela deklaroi se, Amerika e ka gati planin që do të luftojë korrupsionin në Shqipëri dhe tashmë ka filluar ta vërë atë në zbatim. Kjo, sipas tij, është kuptuar nga të gjithë prandaj dhe si më të rrezikuarit Meta e Berisha shihen më të shqetësuar, për shkak se janë lobues të Rusisë në Tiranë.
Ngjela sqaroi se, SHBA e ka bërë konkret planin e saj dhe ka paralajmëruar, prandaj kryeministri Rama deklaroi pak ditë më parë se Partia Socialiste nuk do t’i mbrojë të korruptuarit që evidentohen brenda saj. Sipas avokatit, të gjitha këto tregojnë qartë që askush nuk mund të ndërhyjë apo ndërpresë punën e SHBA. “Amerika shpalli “non grata” edhe ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe, njëherësh, politika amerikane theksoi se ajo “do t’ia likuidojë në Shqipëri të gjithë korrupsionin e lartë shtetëror”.
Më të shqetësuar, që po e shprehin hapur shqetësimin e tyre, dallojnë të jenë Meta dhe Berisha. Kurse Rama deklaroi në kongresin e Partisë Socialiste se “të gjithë të akuzuarit për korrupsion nuk do të mbrohen nga partia”. Domethënë që çështja është bërë tashmë konkrete”, tha ai.