Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit duket se po përballet me pengesa. Ambasadorja Yuri Kim e tha pak ditë më parë se ka pasur një puç për të bllokuar emërimin e Aida Hajnajt, por si duket skenarët ogurzi po vijojnë.
Pak ditë më parë, 7 kandidatë për hetues ngritën një padi ndaj Hajnajt dhe kreut të SPAK Arben Kraja me argumentin se falsifikuan procesverbalin e garës fizike dhe se sipas tyre fituan oficerë që nuk kapën parametrat kohorë. Por sulmet në drejtim të BKH nuk i kanë ndalur as mediat pranë PD dhe LSI, duke i akuzuar se janë bërë manipulime në përzgjedhjen e 103 emrave.
Por pas gjithë këtyre “stërkëmbshave” që po i vendosen BKH, ka reaguar ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi ku ka shpërndarë postimin e SPAK, SHBA u shpreh se rekrutimi i hetuesve është bazuar në kriterin e meritës, duke shtuar se mbështesin procesin objektiv që po zhvillohet. Për amerikanët, aftësitë intelektuale dhe fizike janë kryesore për të përmbushur më së miri mandatin e saj.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto standarde ligjzbatimi të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA. Uashingtoni ka shprehur mbështetjen e saj për reformën në drejtësi në vendin tonë.
Edhe ambasadorja Yuri Kim ka monitoruar nga afër organet e reja të drejtësisë. Në përfundim, 60 hetuesit e zgjedhur do të ikin në SHBA ku do të trajnohen nga FBI për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
Ja reagimi i SPAK
Ndërkohë që pas akuzave dhe padisë së ngritur nga 7 kandidatët për hetues reagoi edhe vetë Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila siguroi se procesi monitorohet nga një komision prej tre prokurorësh, por edhe nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
SPAK tha se monitorimi nga ndërkombëtarët është bërë për t’u siguruar transparenca dhe mënyra e drejtë e përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të BKH. “Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.
Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës. Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Pra këto reagime, hedhin poshtë të gjitha pretendimet dhe akuzat që janë hedhur gjatë ditëve të fundit në drejtim të drejtueses së BKH, Aida Hajnaj.