Mesazhi është i qartë: “Kur sulmojmë SHBA dhe ambasadoren amerikane, nuk e kemi për gjë që ta bëjmë këtë me prokurorët e gjyqtarët”.
Egërsia me të cilën Sali Berisha, Ilir Meta, por në veçanti njerëzit pranë tyre po sulmojnë SHBA-në, ambasadoren Yuri Kim, apo diplomatë të tjerë, realisht nuk kanë lidhje me Amerikën.
Kjo pasi për një superfuqi botërore si SHBA, këto lloj fjalësh, sulmesh e akuzash janë thjesht çikërrima që nuk arrijnë as ta gudulisin.
Ata maksimumi mund të ndotin ambjentin publik në Shqipëri, për të krijuar një perceptim të rrymës anti-amerikane, që të përdoret nga forca të treta me ndikim në Ballkan si Rusia e Kina.
Megjithatë, synimi apo shënjestra e këtij aksioni të mirëmenduar nga dy dinozaurët e politikës 30 vjeçare është diku tjetër.
Ata po i bien derës për të dëgjuar pragu, e drejtimi është Prokuroria Speciale SPAK dhe prokurorët e saj.
Mesazhi është i qartë: “Kur sulmojmë SHBA dhe ambasadoren amerikane, nuk e kemi për gjë që ta bëjmë këtë me prokurorët e gjyqtarët”.
E nuk se s’ka pasur efekt kjo strategji, pasi vetë mefshtësia e punës së SPAK me dosjet e mëdha të korrupsionit është direkt efekt i presionit.
Presioni, nga ana tjetër nuk është i veçuar vetëm publikisht me mesazhe të koduara, por edhe në shantazhe nëpërmjet familjarëve të dy tre prokurorëve sidomos, të cilët kanë në dorë dosjet e zyrtarëve të lartë. Por tashmë prej muajsh këto prokurorë ruhen nga një grup i veçantë i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i trajnuar nga FBI pikërisht si eskortë për prokurorët.
Në një vend të vogël si Shqipëria, është më e lehtë të gjenden rrjetat familjare për të ndikuar në njohje, konflikt interesi apo shantazh.
Megjithatë, ky nuk është justifikim, pasi deri sa është pranuar detyra e prokurorëve të SPAK, ata kanë firmosur se edhe mund të sulmohen e linçohen. Kanë shkuar me vullnetin e tyre, për një detyrë që nuk ka si përshkrim të ndjekin tenderat e drejtorëve të vegjël, por të arrestojnë peshkaqenët…/Pamfleti