Nga Altin Ketro
Sali Berisha po premton ulje drastike taksash, si të ishte hera e parë që i dëgjojmë këto. Por historia flet ndryshe. Në vitin 2013, në fund të mandatit të tij të dytë, taksa e sheshtë ishte pikërisht ajo që ai po propozon sot. Dhe rezultati? Një borxh prej 700 milionë eurosh ndaj bizneseve, të cilin ia la në derë qeverisë pasardhëse si fatura e fundit e një menaxhimi katastrofik financiar.
Shteti i Saliut në ato kohë nuk kishte para në Thesar për të rimbursuar një kompani private me 110 milionë euro TVSH. Në vend të pagesës, nisi pazarin me pasuri publike: në janar 2013, ia dha një kompanie 4 hidrocentrale fitimprurëse të cilat siguronin 10 milionë euro fitim në vit. Me pak fjalë: nuk kishte lekë, por kishte HEC-e.
Po sikur të kishte ndodhur tërmeti i 2019-s, pandemia e 2020-s apo kriza energjetike e 2022-it gjatë qeverisjes së tij 2005 – 2013? Do kishim parë ndoshta edhe Fierzën, Komanin e Vaun e Dejës të “shitur me letra borxhi”. Sepse kur një qeveri nuk mban dot rimbursimin e një TVSH-je, imagjino si do përballonte fatkeqësi natyrore, kolaps shëndetësor dhe krizë globale energjie.
E kujtoni përmbytjen e Shkodrës në 2011? Uji nëpër shtëpi për një javë, dhe zgjidhja që ofroi Berisha ishte kjo: “Ju falim borxhet për energjinë, dhe me ato lekë bëni riparimet.” Një qeveri që nuk dëmshpërblen qytetarët që e votuan për 20 vjet, por i kthen në llogaritarë të borxheve të veta – si mund të imagjinosh se do u siguronte banesa falas me çelësa në dorë mijëra familjeve në tre qarqe?
Apo historia e privatizimit të CEZ-it? 7 milionë euro të paguara nën dorë për ndërmjetës anonimë, për një marrëveshje që më pas çoi në falimentim. CEZ nuk mblidhte dot borxhet, sepse qeveria i çonte policinë. Pastaj lindën firmat që mblidhnin borxhet dhe ndanin fitimin me kompaninë: 50 me 50. Me pak fjalë: plaçkë zyrtare.
Në gjithë këtë zallahi, imagjinoni të kishte ndodhur në kohën e qeverisjes së Berishës kriza globale e energjisë nga lufta në Ukrainë, ku çmimet u ngjitën në qiell. Fatmirësisht nuk ndodhi në kohën e tij, kështu që qytetarët nuk e ndjenë fare krizën e çmimeve të energjisë, sepse atë barrë e përballoi Buxheti i Shtetit, duke mbrojtur qytetarët nga çdo rritje.
Në vitin 2015, u nis krijimi i Urgjencës Mjekësore Kombëtare. Opozita ishte kundër. Por gjatë pandemisë 2020, ajo strukturë, ende e re, me vetëm 5 vite eksperiencë, mbajti në këmbë sistemin shëndetësor: autoambulanca moderne, qendra koordinimi, shërbim 24/7.
Në turizëm, ndryshimi nisi me programin “Rilindja Urbane” në vitin 2014 dhe kulmoi me bum-in turistik të vitit 2019, i cili u tejkalua vit pas viti (me përjashtim të vitit 2020 për shkak të pandemisë), duke arritur rekorde të papara në vitin 2024. Qytete e fshatra nisën të marrin një pamje krejt tjetër. Lindi koncepti i agroturizmit, që më parë nuk njihej as si term në fjalorin zyrtar të turizmit.
Po Berisha çfarë bënte? Shiste në vitin 2010 për 30 milionë euro Hotel Dajtin në Tiranë, simbolin e turizmit shqiptar, për zyra të Bankës së Shqipërisë, sepse në ato vite, turizmi nuk kishte as vizion, as besim.
Ndërkohë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, qeveria Rama reagoi me një plan emergjent. Brenda 72 orëve, shumica e banorëve të goditur nga tërmeti u strehuan nëpër hotele dhe siguruan mbështetje të menjëhershme me bonus qiraje. Brenda pesë vitesh, strukturat individuale dhe pallatet kolektive u rindërtuan, duke ofruar një shembull të menaxhimit të shpejtë dhe të suksesshëm të katastrofave natyrore. Ky reagim i shpejtë dhe i koordinuar tregoi diferencën e thellë mes një qeverie që mbështetet në reagimin afatshkurtër dhe një qeverie që, si ajo e Berishës, kishte lënë pas një shtet të pafuqishëm për të përballuar krizat.
Dhe sot? Sot Berisha ka vetëm fjalë. Flet për ekonomi, por flet ai që rrëzoi ekonominë. Shpesh ai më ngjan me një pedofil politik që përdor premtimet pa logjikë ekonomike, por tërësisht populiste, për të gënjyer kategori të caktuara të shoqërisë që ta ndjekin nga pas në humnerat që ai ka zakon ta çojë vendin. Sepse Berisha nuk ndryshon. E vetmja gjë që ndryshon janë rrethanat. Dhe kur realiteti ndryshon, Saliu rifutet në të njëjtën skemë: të premtojë si dikur, duke shpresuar që njerëzit harrojnë se çfarë bëri kur kishte pushtetin në dorë.
Sot ai kërkon të vijë në pushtet duke korrur gjithë suksesin e reformave ekonomike dhe strukturore të qeverisë Rama. Vetë agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të ekonomisë, Standard & Poor’s, ka ngritur vlerësimin ndaj Shqipërisë në nivelin “BB”, si një perspektivë e qëndrueshme. Ky përmirësim reflekton, ndër të tjera, edhe uljen e borxhit publik në 54.7% të PBB-së. Në një moment kur kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian po ecin me hapa gjigantë dhe Shqipëria po konsolidohet si një faktor stabiliteti dhe zhvillimi në rajon, Berisha rikthehet me të njëjtin model premtimesh që dikur la pas vetëm borxhe, faliment dhe një shtet në prag kolapsi.