Presidenti Thaçi, përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se në darkën e përbashkët kanë vazhduar diskutimet për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit.
Po ashtu, është diskutuar edhe për bllokadën në të cilën, siç tha ai, gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku thotë të ketë theksuar disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.
“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë”, tha Thaçi, duke ripotencuar se “edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së”.
Kundërshtimet, sipas tij, kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se “gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike”.
“Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”, deklaroi presidenti Thaçi.
Më tej, ai u shpreh i bindur se Asociacioni i komunave serbe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive.
“Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, potencoi Thaçi.