Për Jozefina Topallin Partia Demokratike nuk ekziston më, prandaj ajo po angazhohet në një parti të re. Në ditën kur ish-kryeparlamentarja tregoi se do të bëhet pjesë e një partie të re ishte kreu i PD, Lulzim Basha, ai që reagoi kundra saj, madje duke e akuzuar se po drejtohet nga Edi Rama.
Sakaq Topalli ka zgjedhur t’i japë një përgjigje të drejtpërdrejtë kryedemokratit. Gjatë një interviste televizive ajo tha se për të Basha dhe Partia Demokratike nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë asnjë peshë si opozitë apo parti politike.
“Lëvizja për Ndryshim është marrë në njëfarë mënyre peng i interesave private të dikujt edhe nuk ka pothuaj asgjë nga qëllimet nga ëndrrat, nga parimet dhe nga vlerat për të cilat ajo ka lindur.
Në këto kushte pavarësisht kësaj zhveshjeje nga ajo që ishte sublime në këtë forcë politike, demokratët janë po aty, ata ëndërrojnë po të njëjtat gjëra; duan vendin e tyre që të mos lëngojë, të shpëtojë nga situata ku është futur, por që nuk gjejnë përfaqësim dhe janë pa alternativë. Nisa angazhimet në Lëvizjen për ndryshime për një arsye fare të thjeshtë, Partia Demokratike nuk ekziston më”, deklaroi Topalli.
Më tej Topalli u ka bërë thirrje demokratëve të reagojnë sa janë në kohë dhe të largojnë Bashën. Sipas saj, e vetmja mënyrë për të shpëtuar partinë dhe për të rrëzuar Edi Ramën është një udhëheqje e re.
“Jemi ende në kohë për t’i bërë ftesë udhëheqjes se PD, nëse ata do të kenë përgjegjësinë, ndërgjegjen sociale dhe politike, vërtet për të larguar Edi Ramën dhe për të sjellë një ndryshim në Shqipëri nesër; ata duhet të gjejnë një drejtim të ri dhe të pakorruptuar nëse një gjë e tillë do të ndodhë dhe është gjëja minimale që mund të bëjmë nëse e kanë vërtet qëllim të tyre rrëzimin e qeverisë së sotme, ato e kanë shumë të thjeshtë, sepse brenda kësaj force politike ka njerëz me integritet, ka njerëz të edukuar që mund ta bashkonin të gjithë spektrin politik për të filluar një kapitull të ri”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, Topalli nuk heziton të numërojë edhe gabimet e qeverisjes së PD deri në 2013, që janë shumë sipas saj duke nisur nga çështja e pronave, tek arsimi, administrata, por edhe shëndetësia. Sipas saj, sistemi shëndetësor nuk mund t’i lihet aleatëve. Sistemi shëndetësor, pavarësisht se janë futur fonde të mëdha në sistemin e asaj periudhe, duhet ta kishin marrë si përgjegjësi nga PD, por janë të pashmangshme të tilla gabime.