Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shpërndarë një mesazh pas finalizimit me sukses të disa operacioneve policore të rëndësishme, ndër to edhe operacioni i fundit i Policisë së Kukësit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, që çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh dhe arrestimin e dy shtetasve nga Kosova.
“Çdo armë e ndaluar është një jetë e shpëtuar. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar,” tha Proda, duke theksuar rëndësinë e veprimeve parandaluese dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Kosovës si një model suksesi rajonal dhe bëri thirrje për mbështetje dhe besim nga qytetarët, duke u shprehur se Policia e Shtetit është e përkushtuar maksimalisht për garantimin e sigurisë në çdo cep të vendit.
Në përfundim, Proda përcolli një mesazh të qartë: “Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme.”