Mjekësia i bën thirrje politikës dhe qytetarëve të kenë kujdes dhe të mos përçajnë rrjetin mjekësor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, mjeku i njohur Tritan Kalo u ka kërkuar politikanëve tanë që të bëjnë kujdes për të qëndruar të mbrojtur nga Koronavirusi si çdo qytetar i thjesht, pasi Koronavirusi nuk bën përzgjedhje.
Sakaq ai u është drejtuar atyre me kritika se po ndërhyjnë mes trupave të mjekësisë duke e përzierë me çështje politike. “Kujdesuni dhe vijoni të kujdeseni për veten tuaj, virusi Sars-Cov2/Covid-19 fatkeqësisht nuk bën përzgjedhje “politikisht të motivuar” në prekjet e tij, por agresiviteti i shfaqjeve klinike të tij nuk ka parë dhe kurrë nuk do të shohë përkatësi të tilla. Mos u përpiqni të na përçani ne mjekët me idiotësirat tuaja. Ne mantelbardhët, kemi bërë të gjithë një betim dhe jemi të gjithë në bllok në përballjen me sfidën Covid-19”, u shpreh ai.
Më tej Kalo u bëri thirrje qytetarëve të dëgjojnë këshillat e mjekëve dhe të mos ndikohen nga keqinformime nga militantët joprofesionistë. “Bashkëqytetarët e mi, ju lutem të mos hiqni dorë asnjë herë nga informimi prej atyre, që ndokush i quan edhe “mesjetarët mjek”, dhe të informoheni jo drejt dhe shpesh të mbështetur në mllefe politike, militantiste dhe shumë pak profesioniste nga gjithollogët e shumtë, të cilët vijojnë e gëlojnë në ekranet tona, në shtypin e shkruar apo në rrjetet sociale”, tha ai.
Ndër të tjera mjeku sqaron edhe njëherë se shtimi i rasteve të reja në këto 24 orët e fundit duhet të na kujtojë se kjo nuk është shaka, prandaj duhet të vijojmë me zbatimin strikt të higjienës personale. “Jemi të gjithë të pambrojtur para tij, nëse nuk respektojmë jetët tona, nëse nuk përkujdesemi për to dhe jetët e atyre që gjallojnë pranë nesh. Nëse nuk vijojmë të zbatojmë këshillat për distancimin fizik, higjienën personale, kolektive dhe atë të mjedisit, hidratimin dhe ushqimin e shëndetshëm. Fillimi i hapjes së domosdoshme të vendit e sjell përsëri në prag rrezikun e infektimit. Në këtë sfidë nuk ka vetëm heronj, të sëmurë dhe të mbijetuar, por edhe viktima. Pas 36 orëve të asnjë rasti të shtruar nga Covid-19 në Covid-1, Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, kanë filluar sot edhe trokitjet e para të të sëmurëve të rinj. Vijoni të bëni kujdes, nëse ka debate shkencore mes kolegësh, këto debate janë vetëm e vetëm për të hedhur dritë mbi shumë paqartësira, që ende bart kjo “flamë mbarëbotërore””, u shpreh ai.