Një mini revolucion proteste ka nisur në rrjet kundër deklaratave diskriminuese të Erion Velisë kundër konviktorëve që ai i ka diferencuar nga qytetarët e zakonshëm të cilët reagojnë për çështjet qytetare.
Kjo valë zemërimi është shtuar edhe më shumë nga aksioni i organizatës majtise “lëvizja për universitetin” që prej dy ditësh ka mbushur muret e Tiranës me slogane kundër kryebashkiakut, i cili nga turbullimi i ditëve të fundit për shkak të çështjes së inceneratorëve dhe daljes së audiopergjimit e ka humbur qetësinë dhe e ka prishur fajlorin.
Gjatë një interviste në emisionin “Të paekspozuarit”, kur u pyet se ç’punë kishte që të merrej me federatën e futbollit, kryebashkiaku u përgjigj:
“Ka kauza që nuk kanë pse të jenë të lidhura me interesin personal. E keqja është se kjo nuk mund të quhet një gafë, pasi krahasimin e qytetarit me konviktorin kryebashkiaku e kishte përdorur edhe gjatë një interviste në “Report TV”.
Prandaj dallon konviktori nga qytetari. Nëse qyteti për ty është vendi ku fle, ha dhe kryen nevojat personale atëherë ti je një konviktor, ti je thjesht banor, por qytetar bëhesh kur reagon dhe bëhesh aktivist” – tha Veliaj.
Kjo i ka shtyrë aktivistët e “Lëvizja për universitetin” të mbushin muret e qytetit me parrulla ku rëndom përmendet vdekja e të riut Ardit Gjoklaj dhe korrupsioni i Bashkisë.
Aty shkruhet: “Vrasës, Hajdut racist”, “Tiranën nuk e prishën katunarët, por Erion veliaj me oligarkët”, “Punojnë konviktorët me djersë dhe me nder, që Erion veliaj të kthehet në miliarder”.
Në deklaratën që përligj aksionin se saj “lëvizja për universitetin shkruan: “Përtej konceptimit të qytetit si e drejtë private e elitës, urrejtja e verbër e Veliajt ndaj studentëve e ka një burim të qartë: rezistencën studentore kundër tij. Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin shpeshherë kanë gjetur mundësinë për t’i përplasur të vërtetën në fytyrë; në salla kongresesh, në sheshe dhe deri në zyrën e tij, duke e shpallur vrasës, hajdut dhe racist”.
Ndërsa një nga aktivistët që përkrah këtë aksion, Enriko Peculi ka thënë: “çdo etiketim përçmues që u bëhet sot studentëve që banojnë në konvikte, përveçse është i prapambetur dhe fashist, ka në thelb ligjërimin e kalbur të një klase sunduese e cila e ka humbur imagjinatën politike dhe legjitimitetin për të qenë pararojë e shoqërisë”.