Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se Tirana sot është shumë herë më e pastër se në kohën kur Bashkia drejtohej nga koalicioni Meta-Berisha. Duke folur për inceneratorët, ai theksoi dje në një media se kanë qenë pikërisht ish-ministrat dhe ish zyrtarët e LSI-së ata të cilët kanë menaxhuar gjithë këtë proces.
“ Si ka mundësi që deri në vitin 2019, LSI-ja dhe zonja në fjalë, bashkë me të shoqin president, nuk kishin asnjë problem me inceneratorin? Sepse ishin zyrtarët e partisë së tyre që e menaxhonin këtë punë dhe kishin atë sektor. Do me thënë, vetëm pasi prishen me njëri – tjetrin këta janë gati që të djegin gjithë Shqipërinë. Do të thotë që zonjës Kryemadhi, zotit Meta, Saliut, Lulit etj, iu shijonte kontrata që kishin më përpara”, deklaroi ai.
Më tej Veliaj nënvizoi se sot Tirana pastrohet shumë më lirë se sa në kohën kur në krye të Bashkisë ishte Lulzim Basha. “Këta e kanë menaxhuar Bashkinë e Tiranës në vitin 2015 dhe propozimi i tyre ishte për 37 euro toni, sot është 28, Durrësi e ka 29 se ka edhe pjesën e distancës. Sot Tirana paguan më pak se qytetet e tjera, por një gjë është e sigurt, Tirana sot paguan 1/3 e toni më pak, se koalicioni Meta -Berisha – Basha -Kryemadhi në Bashkinë e Tiranës.
Të kujtoj që Basha ishte kryetar bashkie, kryeministër ishte Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kishin Tit Vasilin dhe Jorida Tabakun këtu nënkryetarë dhe kontrata e tyre dhe propozimi i tyre ishte 1/3 më shumë”, theksoi kreu i Bashkisë. Krebashkiaku Veliaj u ndal dhe në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, duke e konsideruar atë shumë zhurmë për asgjë.
“Shumë zhurmë për asgjë, të bësh një stuhi në gotë pse takohen njerëz, jam i sigurt se diferenca e madhe është që në dallim nga Damir Fazlliç që qeveria e merrte dhe e ulte në Këshillin e Sigurimit, këta janë njerëz që mbarojnë vizitat e kortezisë dhe vazhdojnë në punën e tyre”, nënvizoi Veliaj.