Një përplasje e dhunshme ka ndodhur në mitingun përmbyllës të Sali Berishës në Elbasan. Një grup mbështetësish të PD janë përleshur fizikisht, siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv.
Burime bëjnë me dije se si pasojë e përplasjes së dhunshme ka mbetur i plagosur edhe djali i Luçiano Boçit, deputeti i Berishës dhe njëherazi drejtuesi politik i PD në Shkodër. Rrethanat janë ende të paqarta, por mësohet se Parid Boçi ndodhet në Spitalin Rajonal të Elbasanit për mjekim. Ai ka marrë plagë në kokë, por pa pasoja serioze.
Incidenti ndodhi gjatë takimit elektoral të Berishës përpara stadiumit Elbasan Arena, ku ndërsa mbahet mitingu, në pamje dallohet edhe përplasja e dhunshme. Sherri ndodh teksa fliste këshilltari amerikan i Chris LaCivita, Philip Griffin.
Rrethanat janë të paqarta, por vetë PD jo zyrtarisht pretendoi se sherri nisi pasi roja i stadiumit Elbasan Arena nuk i lejoi që të futeshin për të vendosur fishekzjarrë për takimin përmbyllës.
Policia e Elbasanit nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për incidentin, ndërsa në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se përplasja ka ndodhur mes një grupi djemsh të cilët gjuajnë njëri-tjetrin.