Fitorja e Interit 4-3 kundër Barcelonës nuk u shijua nga të gjithë tifozët zikaltër, paçka se ata kishin një biletë dhe për pjesën më të madhe të ndeshjes ishin në stadium. Në minutën e 88-të Raphinha i miqve shënoi golin 2-3 dhe disa nga mbështetësit e Interit humbën besimin te përmbysja dhe u larguan nga stadiumi.
Në korridoret e “San Siros” u dëgjua brohorima e golit të barazimit 3-3 nga Acerbi në minutën 90+3, por për ata që u larguan nga stadiumi ishte vonë. Disa prej tyre u rikthyen, por siguria nuk i lejoi pasi diçka e tillë nuk është praktikë për shkak të sistemit.
Në fund ata që u larguan dhe nuk besuan te ekipi i tyre humbën minutat më speciale, pasi Interi përmbysi me Frattesin në minutën e 99-të dhe zikaltërit morën një biletë për në finalen e Champions League e cila luhet më 31 maj në Munich.