Ka nisur punën Zyra e Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, një strukturë e re që do të ketë një rol thelbësor në mbrojtjen e këtij ekosistemi unik dhe të pasur me biodiversitet.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, duke theksuar rëndësinë jetike të kësaj zyre në garantimin e një menaxhimi të qëndrueshëm të burimeve natyrore përgjatë luginës së Vjosës.
“Respekti për mjedisin është në themel të vizionit tonë për një menaxhim të kujdesshëm, që Vjosa dhe pasuritë e saj të mbeten të gjalla edhe për brezat e ardhshëm,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes punonjësve të zonave të mbrojtura, vizitorëve dhe institucioneve qendrore, për të siguruar një mbrojtje të denjë për atë që e cilësoi si “mbretëresha e lumenjve të Europës”.