Në Tiranë ka nisur numërimi i votave preferenciale të kandidatëve ku deri tani janë numëruar 75 nga 1282 kuti votimi.
PS-ja ka marrë 19 mandate, çka do të thotë se do të fusë edhe shtatë deputetë nga lista e hapur, përveç 12 deputetëve të listës së mbyllur.
Në listën e hapur deri tani më shumë vota ka marrë Blendi Gonxhja, i ndjekur nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe. Një vend në shtatëshen e parë është edhe për ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, Orlando Rakipin dhe Anila Denajn.
Ajo që bie në sy është fakti që jashtë listës fituese deri tani janë emra si Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka dhe Etilda Gjonaj.
Partia Demokratike humbi një mandat dhe zbriti në listën e hapur, pasi ia mori Mundësia. Më i votuar deri tani mbetet Ilir Alimehmeti, ndërkohë mbeten jashtë Parlamentit Jorida Tabaku, Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Myslym Murrizi dhe Asllan Dogjani.
Sa i përket partive të vogla, Mundësia do të fusë në Kuvend të parin e listës së mbyllur, Agron Shehajn dhe po ashtu nga lista e Mbyllur Erald Kaprin, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet do të çojë në Kuvend Adriatik Lapajn, i cili ka marrë më shumë vota se Endri Shabani.
Jashtë Kuvendit mbetet edhe Arlind Qori, pasi i pari i Lëvizjes Bashkë është Redi Muçi, ndërsa PSD-ja do të çojë në Kuvend të parën e listës së mbyllur Albana Pëllumbi.