Juristi Romeo Kara, ka reaguar sa i përket hetimit të dosjeve më të bujshme. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, juristi ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “SOT”, për vrasjen e Artan Santos dhe “21 Janarit”, si dy nga dosjet e bujshme që pritet të shkundin politikën. \
Juristi Romeo Kara, u shpreh se dosja e vrasjes së Santos duhet që të hetohet duke u analizuar mirë. Ai theksoi, se duhet të hetohen në detaje aktiviteti i Santos si edhe lidhjet që ky i fundit mund të ketë pasur me persona të tjerë. “Hetimi i ngushtuar, jashtë kontekstit, nuk ka asnjë vlerë.
Le të hetohen arsyet reale përse ndodhi vrasja, duke analizuar së pari, të gjitha aktivitetet e Santos si dhe lidhjet e tij. Çfarë përfaqësonte realisht Santo dhe biznesi i tij? Le të hapet më në fund puseta e cila qëndron pas këtij krimi”, tha ai.
Ndër të tjera, juristi Romeo Kara u shpreh se në asnjë vend tjetër nuk ndodh që për një krim mos të investigohet nga ana e Prokurorisë deri në fund. Juristi theksoi se e vetmja gjë që nuk të pengohet është vrasja, por hetimi nuk ka pse të pengohet. Ai ngriti edhe disa pikëpyetje se cilët janë ata të cilët sipas tij kanë përfituar nga vrasja e Santos dhe cilët kanë qenë ata të cilët e organizuan.
“Askund nuk mund të ndodhë, që të ekzekutohet një drejtues banke dhe të mos investigohet nga Prokuroria dhe media deri në detaje aktiviteti dhe jeta e tij. Vrasja mund të mos pengohet, por investigimi jo. Kush përfitoi nga kjo vrasje? Kush e organizoi, kush e realizoi si dhe kush pengoi hetimet deri me tani?”, tha ai.
Kujtojmë se, pak kohë më parë u rihap dosja e vrasjes së bankerit Artan Santo, dosje e cila më pas i kaloi SPAK. Mësohet se po bashkëpunohet mes dy prokurorive për të zbuluar autorët e vërtetë të kësaj ngjarje. Një dosje tjetër shumë e rëndësishme është ajo e vrasjeve më “21 Janar”. Për dy prej viktimave nuk u ndëshkua asnjë person dhe falë provave të reja Prokuroria e Tiranës rihapi çështjen.