Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të lëshojnë mesazhe të forta për stabilitetin dhe luftën kundër korrupsionit në Ballkan.
Pas dekretit të presidentit Biden mbi sekuestrimin e pasurive të personave të korruptuar, një tjetër reagim me mesazh kaq të fortë ka ardhur dje nga DASH.
Përmes një deklarate për mediat zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, sekuestrimi i pasurive do të fillojë nga rastet më urgjente. Pra, nga personat që shfaqin më shumë rrezik për stabilitetin në Ballkan dhe kanë më shumë lidhje me korrupsionin në vendin e tyre. Price theksoi se, puna e SHBA për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Ballkan do të vijojë po me të njëjtin përkushtim, për të nxitur llogaridhënien e zyrtarëve për veprimet e tyre.
“Falë dekretit, ne do fillojmë të trajtojmë kërcënimet më urgjente ndaj stabilitetit dhe përparimit të institucioneve demokratike. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për promovimin e demokracisë, transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me standardet që vendet duhet të plotësojnë në mënyrë që të përmbushin qëllimin e tyre për të përparuar në rrugën europiane”, deklaroi Price.
Zëdhënësi i DASH është shprehur se lufta e korrupsionit i hap rrugë anëtarësimit në BE për Ballkanin. Sipas tij edhe vetë qeveritë duhet të bashkëpunojnë me DASH për të vënë para përgjegjësisë personat që kanë lidhje me krimin. Kështu duke, vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë, ai i ka bërë thirrje BE që të hapë sa më shpejt negociatat për vendin tonë. “Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa u vonuar më shumë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugët europiane të aspirantëve”, shkruan ai.
Ja kush janë më të rrezikuarit
Dekreti i nënshkruar më 8 qershor nga presidenti i SHBA, Joe Biden, tregon qartë se, sekuestrim pasurie nuk do të ketë vetëm për personat që përfshihen në korrupsion apo janë pjesë e krimit të organizuar, por edhe për ata që me deklarata apo thirrje publike nxisin dhunë dhe destabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen: nga asnjë person i përcaktuar nga Departamenti i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit. Si përgjegjës apo bashkëpunëtor, që ka qenë i angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, në shkelje, apo vepra që cenojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të shteti në Ballkanin Perëndimor”, përcakton dekreti.
Sipas të dhënave, në dekret do të përfshihen edhe personat të cilët janë të lidhur me korrupsionin dhe do të ketë efekt mbi ish-zyrtarë apo zyrtarë aktualë të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë përdorur asetet publike për të përfituar personalisht apo për qëllime politike. Gjithsesi, sqarohet se ky vendi do të veprojë së pari mbi ata zyrtarë që janë të përfshirë në botën e krimit dhe përdorin postin e tyre për të zgjeruar rrjetet kriminale në vend.