Dy nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, pas përjashtimit apo largimit nga kjo parti, themeluan secili nga një parti të re, ndërsa nuk i kanë kursyer edhe akuzat ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.
Por teksa na ndajnë edhe 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021, zoti Patozi dhe zonja Topalli kanë vendosur të bashkohen në një koalicion. Ka qenë vetë kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i cili e ka konfirmuar këtë bashkëpunimin me Jozefina Topallin gjatë një prononcimi për mediat ditën e djeshme.
Sipas tij, urat e komunikimit mes drejtuesve të Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes për Ndryshim janë vendosur, ndërkohë ka edhe një produkt konkret, vendimi për të garuar më një listë të përbashkët.
“Ne kemi profile të ndryshme ndoshta, nuanca të ndryshme që edhe na dallojnë nga njëri-tjetri, por kemi një kauzë të përbashkët që është ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri dhe nga ana tjetër kemi interesa elektorale që na bashkojnë, se në rast se garojmë më vete do e kishin më të lehtë partitë e vjetra për të na spostuar apo copëzuar në zgjedhjet e 25 prillit.
Kemi rënë dakord parimisht për një bashkëpunim që i bie listë e përbashkët. Me Jozefina Topallin dhe me këdo tjetër që ju shkon ndërmend që nuk bën pjesë te lista e kundërshtarëve politikë dhe që është i hapur për bashkëpunim”, deklaroi ai, Ndërkohë që ish-partia e tij, Partia Demokratike, më tej do të jetë mes 3 kundërshtarëve të tij politikë, Patozi thotë se nuk do të bëjë opozitë vetëm me mazhorancën aktuale, por si kundërshtarë do të jenë, “Rilindja e Edi Ramës dhe opozita e kompromentuar e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit”.
“Ata mendojnë se opozita është lloj prone dhe kushdo që futet u rrëmben diçka nga copa e tyre. Opozita është mision. Mund të thonë çfarë të duan për ne, ne ose do i injorojmë, ose do i kthejmë ndonjë shpullë të lehtë”, nënvizoi ai. Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij ditën e djeshme kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi konfirmoi se do të garojë vetëm në një zonë elektorale sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.