NGA RIGELS SELIMAN
Ditën e djeshme u shënuan plot 9 vite nga 21 janari i përgjakshëm, ku gjatë protestës së opozitës së majtë u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Por edhe pse kanë kaluar 9 vite, familjarët e katër viktimave janë ende në kërkimi të drejtësisë. Ndonëse u pa qartë se katër protestuesit u qëlluan nga brenda godinës së Kryeministrisë nga Garda e Republikës, u dënuan vetëm të fundit e listës së njerëzve që qëlluan mbi demonstruesit.
Mirëpo, pavarësisht këtij kalvari vuajtjesh, drejtësia ka bërë dredhi dhe ka luajtur ping-pong me këtë çështje, ndërsa të afërm të katër protestuesve që mbetën të vrarë në atë tubim, kanë bërë sërish dje thirrje për drejtësi. Madje, për ta SPAK mund të ndezë shpresat që kjo çështje të rihetohet, duke qenë se edhe pas nëntë vitesh kjo masakër ka mbetur pa u zbardhur. Ka qenë Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit që u shpreh se pavarësisht se kanë kaluar 9 vite ka ende besim se drejtësia të vendoset në vend, ndërsa shtoi se beson te SPAK-u. “Kemi besim ende te drejtësia, te reformat e reja, te SPAK-u se çështja do të rihapet dhe drejtësia nuk do të vonojë”, deklaroi e bija e një prej viktimave të “21 Janarit”.
Të ngelurit në veting shpëtuan Bashën e Berishën
Por edhe pse u pa qartë se vrasjet asokohe ishin bërë me paramendim, pasi Garda e Republikës qëlloi drejtpërdrejt dhe jo në ajër mbi protestuesit paqësorë, në një kohë që ata ishin jashtë gardhit rrethues së Kryeministrisë, përgjegjësit që lanë në mes të bulevardit katër demonstrues të vrarë nuk u dënuan fare, apo morën dënime qesharake. Pak ditë pasi kishte ndodhur kjo masakër, ish-Kryeprokurorja Ina Rama u vu në lëvizje, duke marrë ekspertizë nga Amerika, ekspertë të cilët në dosje kishin shkruar e zeza mbi të bardhë se ishte qëlluar drejtpërdrejt mbi protestuesit.
Mirëpo, ish-kryeministri Sali Berisha dhe gjyqtarët që gjykuan këtë çështje, e hodhën në kosh ekspertizën amerikane. Më konkretisht, treshja e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri, në shtator të vitit 2013, dënuan me vetëm 1 vit burg ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt si dhe me 3 vjet burg Agim Llupon, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ata i shpallën “vrasje pa dashje” ekzekutimin e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit nga Ndrea Prendi dhe Agim Llupo në protestën e 21 Janarit 2011. Prokuroria kishte kërkuar 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet për Agim Llupon.
Vrasje e dy protestuesve të tjerë Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetën pa autor. Gjithashtu pa autor mbetën edhe plagosjet me armë zjarri të gjashtë protestuesve të tjerë, përfshirë edhe gazetarë. Në prill të 2016, tre vjet më vonë, Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, duke mos e marrë në shqyrtim çështjen. Por sot këta gjyqtarë nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë, pasi kanë ngelur në veting, duke dëshmuar qartë se përmes vendimeve që dhanë u rreshtuan hapur në mbrojtje të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, duke qenë se janë përgjegjësit kryesorë dhe urdhëruesit e kësaj masakre që tronditi Shqipërinë 9 vite më parë.
Shpresat tek Prokuroria e Posaçme
Megjithatë, pavarësisht mbylljes së dosjes, sytë e të gjithëve janë tek SPAK. Kjo pasi janë dy rrugë që kjo dosje të rihetohet sërish. E para ka lidhje me Gjykatën e Strasburgut, e cila pritet të shprehet në fund të muajit për këtë çështje, pasi e kanë ankimuar familjarët e katër viktimave, duke kërkuar rihetim. Ç’ka do të thotë se nëse kjo gjykatë jep një vendim në favor të familjarëve, çështja e “21 Janarit”, mund të rihetohet nga SPAK. Ndërkohë, rruga e dytë që mund të ndiqet për t’u hapur kjo dosje janë ngritja e padive të reja në SPAK.